E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shqipëria i kërkon Maqedonisë së Veriut, që të mbështesë kërkesën në KiE, për rishikimin e Rezolutës së Dick Marty-t

Shqipëria i kërkon Maqedonisë së Veriut dhe delegacionit të saj në Asamblenë Parlamentare të KiE, që të mbështesë rishikimin e Rezolutës 1782, duke i shpallur të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade.

Kërkesa u bë gjatë një takimi që kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, zhvilloi në Kryesinë e Kuvendit, me kryetarin e Partisë “Aleanca për Shqiptarët, njëkohësisht edhe Kryetar i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Sipas një postimi në Facebook, Balla vlerësoi rolin e Aleancës në mbështetjen e legjislacionit që duhet të miratojë Maqedonia e Veriut në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evuropian.

“Takim me Kryetarin e Partisë “Aleanca e Shqiptarëve” Arben Taravari, njëjohësisht Kryetar i Bashkisë Gostivar. Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë. I kërkojmë Maqedonisë së Veriut dhe delegacionit të saj në APKiE të mbështesë këtë démarche në dobi të qartësimit të së vërtetës përkundrejt shpifjeve dhe të pavërtetave në raportin që frymëzoi atë Rezolutë në vitin 2011. Shqipëria shpreh vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën. Gjithashtu vlerësojmë rolin e Aleancës në mbështetjen e legjislacionit që duhet të miratojë Maqedonia e Veriut në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”- shkruan Balla.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›