E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria ka plotësuar kushtet, vonesa, për arsye të brendshme të BE-së

Brukseli shqyrton në një moment tjetër, pas formimit të qeverisë së re gjermane dhe me finalizimin e procedurave të Traktatit të Lisbonës. Zyrtarët e Brukseli komentojnë se vonesa në dhënien e përgjigjes për Shqipërinë nuk lidhet me shkaqe politike, por për arsye teknike që lidhen me situatën e brendshme të vendeve të Unionit. Pavarësisht, qeveria shqiptare është e zotuar në vijimin e rrugës së reformave dhe finalizimin me sukses të tyre, në kohë rekord

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian shtyn, për në një mbledhje të ardhshme shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin kandidat. Zyrtarët e lartë të Brukselit, komentuan aplikimin e Shqipërisë dhe u shprehën se shtyrja për në mbledhjen e ardhshme, bëhet për arsye teknike që lidhen me punët e brendshme të disa vendeve anëtare të BE. Në këtë aspekt, “pengesa” e vetme për Shqipërinë, në marrjen e statusit kandidat lidhet me procedurat e komplikuara të shqyrtimit të kërkesave të vendeve të ndryshme, sipas kushteve të Traktatit të Lisbonës.

Për sa u takon kushteve, përfaqësuesit e BE-së shprehen optimistë, teksa vlerësojnë përkushtimin e qeverisë në drejtim të projektit dhe prosperitetit evropian. Parlamenti gjerman nuk është mbledhur ende pas zgjedhjeve parlamentare dhe deri në konkretizimin e çështjeve të brendshme të qeverisë gjermane, e cila pritet të rikonfirmohet javën e parë të nëntorit, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, pritet të marrë vendimin për kërkesën e Shqipërisë, në lidhje me statusin e vendit kandidat. 

Po ashtu, procedura të komplikuara të cilat rrjedhin nga Traktati i Lisbonës, vlejnë dhe për Suedinë apo nga disa vende të tjera të BE-së, të cilat duhet ta nënshkruajnë atë, pavarësisht se nuk kanë pasur zgjedhje të reja si në rastin e Gjermanisë. 

Disa nga vendet anëtare të BE, mbështetën fuqimisht në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, aktin e Shqipërisë, për të marrë statusin e vendit kandidat. Në këtë linjë u shprehën vende si Greqia, Republika Çeke, Britania e Madhe dhe Italia, të cilat kërkuan nga ministrat e BE-së, shqyrtimin pa kushte të kërkesës, ndërsa më hezitues, për arsye të brendshme politike të tyre, kanë qenë Gjermania dhe Holanda.

Në anën tjetër, Suedia, vendi që udhëheq Presidencën e radhës të BE-së, u shpreh se sheh me optimizëm të ardhmen e Shqipërisë drejt BE-së, ndonëse Unioni është i detyruar të presë formimin e qeverisë së re gjermane dhe mbledhjen e Bundestagut dhe njëherazi procedurat e Traktatit të Lisbonës. 

Ministri i jashtëm suedez, Karl Bildt, konfirmoi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se, vonesa në shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësi në BE nuk është për shkaqe politike, por vetëm teknike, të cilat lidhen me arsyet e lart përmendura.

Bildt, tha se procedurat e komplikuara të shqyrtimit të kërkesave të vendeve të ndryshme, sipas kushteve të Traktatit të Lisbonës, kanë bërë që aplikimi i Shqipërisë të mos jetë konsideruar ende nga BE-ja.

“E vetmja vonesë këtu ka qenë për faktin se parlamenti gjerman nuk është mbledhur ende dhe sipas kushteve të Traktatit të Lisbonës ne kemi procedura më të komplikuar - konsultimin e parlamenteve në disa vende, përfshirë edhe vendin tim (Suedia), megjithëse ne nuk kemi pasur zgjedhje kohët e fundit, por gjermanët kanë pasur zgjedhje kohët e fundit”, tha Bildt.

Ai vuri në dukje se “është thjesht çështje teknike dhe nuk është politike”.

Gjithashtu edhe Sekretari i Jashtëm Bitanik David Miliband, u shpreh se integrimi i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor mbetet sfidat e ardhshme të Bashkimit Evropian.

Miliband garantoi mbështetjen e vendit të tij ndaj aspiratave dhe prosperitetit të Shqipërisë në rrugën e integrimit.

“Gjeografikisht, përgjegjësia jonë kryesore është ndaj Ballkanit perëndimor. Anëtarësimi evropian është i vetmi çmim i madh për të siguruar kompromis dhe reforma ndaj rivalëve historike me interesa personale dhe pikëpamje të pandryshueshme”, ka deklaruar Miliband.

Shefi i diplomacisë britanike ka theksuar se BE i pa pasojat e neglizhimit në vitin 1990 dhe ka nënvizuar se hapja e gjyqit ndaj Radovan Karaxhiç i solli sërish në kujtesë ato.

“Të 27 vendet anëtare e kanë bërë të qartë se anëtarësimi në BE është e ardhmja për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, kur ato të jenë gati”, nënvizoi ai.

Vendet anëtare që mbështetën aktin e Shqipërisë për të marrë statusin kandidat, këmbëngulën që në mbledhjen e ardhshme kjo çështje të jetë në rendin kryesor të ditës.

Shqipëria e paraqiti aplikimin për të qenë vend kandidat i BE-së në prill të këtij viti, vetëm disa dite pasi hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asocimit.

Në një kohë rekord prej dy vitesh kjo marrëveshje u ratifikua nga të 27 Parlamentet e vendeve anëtare të BE-së.

Një tjetër çështje e rëndësishme që është pjesë e marrëdhënieve Shqipëri-BE është ajo e liberalizimit të vizave.

Shqipëria po përpiqet që të përfitojë sa më shpejt nga ky proces në vijim të vendimit që Komisioni Evropian ka marrë tashmë për heqjen e vizave duke filluar nga fillimi i vitit 2010 për Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›