E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria kontribut në aleancën e Qytetërimeve, promovon vlerat e KE”

09-11-2012 / Gazeta 55

Presidenti Nishani dhe kryeministri  Berisha takojnë përfaqësuesin e Lartë të SP të OKB-së,  Jorge Sampaio

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim Përfaqësuesin e Lartë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Aleancën e Qytetërimeve, ish-Presidentin e Portugalisë, zotin Jorge Sampaio, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të Konferencës “Diversiteti në Europë, një fuqi për të ardhmen”, që organizohet në përmbyllje të Kryesisë shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës.
Pasi i uroi mirëseardhjen zotit Sampaio, Presidenti Nishani vlerësoi kontributin e tij dhe të nismës për Aleancën e Qytetërimeve në rritjen e mirëkuptimit dhe harmonisë, në një botë ku diversiteti do të kthehet në fuqi duke luftuar diskriminimin, dhunën e keqkuptimet mbi baza fetare, etnike, kulturore dhe historike.
Presidenti Nishani u shpreh se Shqipëria me tolerancën e saj fetare dhe politikën rajonale po jep gjithmonë e më shumë një shembull dhe kontribut në promovimin e vlerave të Këshillit të Europës dhe një rajon që ka lënë pas të shkuarën dhe shikon nga e ardhmja.
Nga ana e tij, Presidenti Sampaio pasi falënderoi Presidentin Nishani për fjalët inkurajuese dhe mbështetjen ndaj përpjekjeve të Aleancës së Qytetërimeve për një botë që jeton në harmoni dhe paqe e konsideroi Shqipërinë një partner aktiv, i cili mund të kontribuojë në mënyrë konkrete me shembullin e saj të tolerancës fetare dhe bashkëpunimit rajonal.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë mendime të njëjta në lidhje me rishikimin e strategjisë rajonale për Evropën Juglindore dhe nevojën për ta rifreskuar atë në përputhje me sfidat e kohës. 
Më herët përfaqësuesi i Lartë i Sekretariatit të Përgjithshëm të OKB-së për Aleancën e Qytetërimeve, zotin Jorge Sampaio u prit dhe nga Kryeministri Berisha, i cili i  shprehu kënaqësinë dhe nderin për këtë vizitë, si dhe vlerësimin e lartë për rolin dhe vizionin e zotit Sampaio në drejtimin e Aleancës së Qytetërimeve.
Nga ana e tij  Zoti Sampaio falënderoi Kryeministrin, për mikpritjen dhe shprehu kënaqësinë për vizitën në Shqipëri. Ai, duke theksuar se kjo vizitë që përkonte me fundin e Presidencës së Shqipërisë të Këshillit të Ministrave të Këshillit të Europës dhe me fundin e mandatit të tij në krye të Aleancës së Qytetërimeve, nënvizoi se qëllimi i kësaj vizite ishte që të shprehte vlerësimin për presidencën shqiptare  në KiE si dhe për kontributin aktiv të Shqipërisë në Aleancën e Qytetërimeve. Zoti Sampaio, duke e çmuar Shqipërinë si model të ndërtimit të një shoqërie përfshirëse, u shpreh i interesuar për vizionin e Kryeministrit Berisha në lidhje me përballimin e sfidave që shtrohen përpara vendeve europiane dhe në veçanti Europës Juglindore.
Më pas kryeministri Berisha çmoi rolin aktiv të Aleancës së Qytetërimeve dhe theksoi se kjo Aleancë mund të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e dialogut, me qëllim kuptimin dhe respektimin e diferencave etnike, fetare, kulturore etj., si një kusht i rëndësishëm për paqe e stabilitet. Në këtë kuadër, Kryeministri theksoi se dialogu i hapur dhe pa paragjykime mbi realitete dhe probleme, të cilat dëmtojnë frymën e tolerancës dhe mirëkuptimit, është një instrument i jashtëzakonshëm për të përballuar sfidat që shtrohen para rajonit, Europës dhe më gjerë.
Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se larmia  që Europa ka në planin kulturor, etnik, fetar etj. duhet të kthehet në një pasuri dhe forcë nëpërmjet dialogut, mirëkuptimit dhe bashkimit në vlerat universale.
Kryeministri ilustroi shembullin e Shqipërisë, si një shoqëri model i tolerancës dhe mirëkuptimit, duke theksuar se çelësi i këtij modeli është mirëkuptimi dhe respekti për besimin dhe identitetin e tjetrit. Ai gjithashtu paraqiti shkurtimisht përpjekjen e Presidencës shqiptare të Këshillit të Ministrave të Këshillit të Europës për afrim dhe bashkëpunim me vendet e Pranverës Arabe, si një proces që do t’u japë atyre një model të suksesshëm për të çuar më tej rrënjosjen e vlerave themelore demokratike, për të cilat filloi kjo Pranverë Arabe. 
Gjithashtu një në takim ish-Presidentin e Portugalisë dhe Përfaqësuesin e Lartë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Aleancën e Qytetërimeve, Jorge Sampaio, u prit dhe nga ministri i Jashtëm Panariti,  i cili do të marrë pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë “Diversiteti në Evropë – Forcë për të ardhmen” që organizohet në kuadër të Kryesisë së radhës nga ana e Shqipërisë së KiE-së.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›