E Diel, 1 Nëntor 2026

“PD drejt mandatit të tretë qeverisës, blloku nuk do të rilindë kurrë”

09-11-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha merr pjesë në inaugurimin e ujësjellësit në zonën e plazhit Shkozet-Plepa, në Durrës

“Taksa progresive e Ramës, njësoj si të vendosësh bustin e Spiro Kolekës në çdo zyrë tatimore”

“Shqipëria ka shënuar në këto vite, ndryshimet më të mëdha në historinë e saj dhe katër vitet e ardhshme janë vitet e finalizimit të projektit – Shqipëria, vend i zhvilluar”.
Kështu  u shpreh dje kryeministri Sali Berisha gjatë inaugurimit të ujësjellësit në zonën e plazhit Shkozet-Plepa, në Durrës. Kreu i qeverisë tha se Shqipëria, vend të zhvilluar është objektiv madhor që ka në themel politikën e ndërtimit dhe vizionin e ndryshimit.
“Ne, kudo që shkojmë, nuk ofrojmë fjalë boshe e slogane, por shkolla të reja, ujësjellës të rinj, kanalizime të reja, biznese të reja, ofrojmë tërheqje të bizneseve të huaja, ofrojmë hidrocentrale të reja të ndërtuara në të katër anët e vendit, zhvillim të qëndrueshëm të Shqipërisë, ofrojmë shumëfishim të turizmit. Këto do të jenë ofertat tona për katër vitet që vijnë, sepse këto janë edhe nevojat më të ngutshme, më të ndjeshme të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ai.
Ndërsa përshëndeti përfundimin e ujësjellësit të ri, një investim me vlerë 1 milionë euro, Kryeministri tha se gjatë këtyre viteve, në furnizimin me ujë janë investuar mbi 500 milionë dollarë dhe rreth 97 për qind e qytetarëve furnizohen sot, me ujë të rrjedhshëm, duke garantuar se furnizimi i tyre me ujë, 24 orë, është ndër përparësitë në programin e qeverisë.
Sistemi i furnizimit me ujë dhe i kanalizimeve, tha Kryeministri, është ndër veprat më të kushtueshme, por edhe më jetiket për komunitet tona. Edhe ujësjellësi i sapo inauguruar  i jep zgjidhje problematikës së furnizimit me ujë të pijshëm të zonës së plazhit. Pas investimeve të bëra në rrjetin e ujësjellësve në Durrës, është bërë e mundur furnizimi 24 orë me ujë të pijshëm i rreth 15 mijë familjeve.
Në këtë kontekst, Berisha bëri të ditur se janë 60 projekte të financuara për sistemet e kanalizimeve të vendit. 14 projekte të tjera janë në ndërtim e sipër për pastrimin e ujërave të zeza, në mënyrë që ujërat në liqene dhe detet tona, nga Velipoja në Ksamil të jenë ndër më të pastrit në Evropë. Ai tha se ne do të bëjmë gjithçka, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të kenë furnizim me ujë të cilësisë më të lartë dhe që ujërat e tyre në dete e liqene të jenë ndër më të pastrit e kushtet më të mira.
Duke u ndalur te zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Berisha tha se Partia Demokratike po ecën drejt mandatit të tretë qeverisës.
“Ne po ecim drejt zgjedhjeve të vitit 2013. Në sytë e çdo qytetari, që takoj, lexoj të shkruar fjalën fitore, lexoj besimin e madh të tyre tek fitorja e sigurt e zgjedhjeve të vitit 2013, vendosmërinë e tyre për të rendur pas çdo vote, vendosmërinë e tyre për të hartuar së bashku, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo komunitet e kudo, programin e përgjithshëm për katër vitet që vijnë, të shndërrimit të Shqipërisë në vend të zhvilluar, programin e përgjithshëm të ndërtimit të Shqipërisë europiane”.
Ai nënvizoi se “ne ecim drejt zgjedhjeve të ardhshme, pasi trokasim në çdo zemër e çdo mendje, si gratë e burrat që kemi mbajtur fjalën, si njerëzit që do të flasim me vepra e jo me fjale boshe. Kudo që shkojmë, ne flasim e do të flasim për vendet e punës, qëllimin tonë më madhor. Sot, jemi vendi i vetëm, në të cilin, sipas Komisionit Europian, papunësia jo vetëm që nuk është rritur, por është ulur në mënyrë progresive dhe ne jemi të vendosur që në programin e ardhshëm ta shndërrojmë sërish punësimin, krijimin e vendeve të punës, qëllimin tonë më madhor”, deklaroi Kryeministri.
Sa i takon programit të opozitës, Berisha tha se “zotërinjve që qarkullojnë nga një tribunë në një tjetër me fjalën rilindje, dua t’u them se rilindja e tyre është rilindja e bllokut dhe blloku nuk do të mund të rilindë më kurrë”.
Sipas kryeministrit, t’u paraqesësh shqiptarëve taksën progresive si taksë të rilindjes, nuk bën gjë tjetër veçse vendos para të gjitha zyrave tatimore të Shqipërisë, bustin e Spiro Kolekës.
“Zotërinjve që qarkullojnë nga një tribunë në një tjetër me fjalën rilindje, dua t’u them se rilindja e tyre është rilindja e bllokut dhe blloku nuk do të mund të rilindë më kurrë. T’u paraqesësh shqiptarëve taksën progresive si taksë të rilindjes, nuk bën gjë tjetër veçse vendos para të gjitha zyrave tatimore të Shqipërisë, bustin e Spiro Kolekës, dajës tënd, zoti Rama. Të kalosh nga një dyqan në tjetrin, duke u betuar se do t’u heqësh taksat, ndërkohë që je njeriu, i cili, kur ishe kryetar i Bashkisë së Tiranës, i rrite ato nga 67 mijë lekë që i gjete, në 147 mijë lekë, nuk bën gjë tjetër veçse u paraqet qytetarëve hijen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sepse Rama i vërtetë është Rama i rritjes së taksave. Hijeve askush nuk u beson. Me këtë rilindje që ka nisur, zoti Rama do të ecë drejt të shkuarës me shpejtësi të madhe”, tha kryeministri.
Gjithashtu, Berisha tha se kryesocialistit Edi Rama u faktoi shqiptarëve se filozofia dhe praktika e tij e vetme është politika e bllokimit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›