Topalli: PS, partia e Sajmirëve mbush 71 vjeç, koha për reformim duke votuar ligjet e integrimit

Duke “shfrytëzuar” një ditë simbolike për komunistët, 71 vjetorin e themelimit të PKSH-së, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i bëri thirrje dje Partisë Socialiste (si pasardhëse të PPSH-së), që të reformohet dhe të votojë ligjet e integrimit.
Gjatë seancës plenare, Topalli kërkoi nga deputetët socialistë që, ashtu siç votuan ligjin për amnistinë (me 120 vota), të votojnë edhe 3 kushtet e Brukselit për statusin e vendit kandidat.
“Në fakt, unë si kryetare e Kuvendit nuk mund të rri pa iu uruar ditëlindjen e partisë tuaj (PS-së). Sajmir (Tahiri, i cili flet nga salla) është partia jote, është 71 vjeç. Urime për këtë 8 nëntor. Pasi 71-shit iu takon të riformoheni dhe të votoni për ligjet e Brukselit. Si thua Sajmir? Se kjo është partia e Sajmirëve”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.
Në 71 vjetorin e themelimit të PKSH edhe pse tashmë ka hyrë në “datat e harruara” edhe për ata pak nostalgjikë të regjimit, sërish s’mungojnë akuzat e tyre ndaj Partisë Socialiste, për përvetësim të festave dhe atributeve të Partisë Komuniste.
Ndërkohë, pas votimit të projektligjit “Për dhënie amnistie”, që kërkonte tre të pestat e votave të deputetëve për miratim, Kryetarja e Kuvendit përgëzoi deputetët e opozitës për konsensusin e dhënë për këtë projektligj.
Në këtë kontekst ajo ftoi opozitën që të japë konsensusin edhe për tre ligjet e tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe që kërkohen nga Bashkimi për Europian me qëllim që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat.