Shqipëria kosh plehrash për rajonin, ambientalistët: 600 mijë tonë mbetje në vit
Ambientalistët reagojnë pas vendimit të qeverisë Rama
Shqipëria është kthyer në kosh plehrash, duke lejuar importin e rreth 600 mijë ton mbetjeve çdo vit. Ambientalistët thonë se bëhet fjalë kryesisht për mbetje plastike që vijnë nga vendet fqinje si Greqia, Italia, Serbia apo Ukraina. Pas protestave dhe kërkesave të herahershme për anulimin e ligjit të importit të mbetjeve duket se ambientalistët kanë gjetur përkrahjen tek qeveria e re. Kjo pasi një nga vendimet kryesore të mbledhjes së parë të qeverisë së re ishte pikërisht ndalimi i importit të mbetjeve.
Ambientalistët
Nisur nga ky vendim ditën e diel ambientalistët kanë kërkuar që qeveria e re të gjejë modalitetet më të mira për realizimin e vendimit për ndalimin e importit të mbetjeve. Kozara Kati, përfaqësuese e Aleancës kundër importit të plehrave, është shprehur në media se vendimi i qeverisë duhet të jetë si një moratorium që të ndalojë importin, deri në momentin që të realizohet miratimi në Parlament i ndryshimit të këtij ligji.
Importi i mbetjeve
Sipas ambientalistëve, çdo vit në vendin tonë importohen rreth 600 mijë ton mbetje, kryesisht skrap dhe mbetje plastike, ndërsa vendet kryesore të origjinës janë, Greqia, Serbia, Ukraina dhe Italia. Lidhur me këtë fakt shoqatat e ambientalistëve kanë zhvilluar protesta në rrethe të ndryshme të vendit, ndërkohë që vetëm para pak muajsh u vendos që të zhvillohet një referendum për këtë çështje, i cili sipas tyre, tashmë ka pak gjasa që të zhvillohet.
Vendimi i qeverisë
Vendimi i fundit i Qeverisë Rama ka qenë një nga premtimet kryesore të vetë Partisë Socialiste para marrjes së pushtetit qeverisës. Anulimi i ligjit për importin e mbetjeve, gjatë fushatës elektorale, është paralajmëruar nga kryeministri aktual Edi Rama si vendimmarrja e parë e qeverisë së re. Ligji i shumëdebatuar për menaxhimin e mbetjeve, i miratuar nga qeveria dhe kuvendi në vitin 2011, është cilësuar nga opozita e atëhershme dhe shoqëria si një ligj që lejonte importin e mbetjeve të rrezikshme nga jashtë.
Anulimi
Në ligjin e miratuar tashmë nuk sanksionohen procedurat e importit të mbetjeve ndërsa referuar procedurës së ndjekur deri më tani, për çdo propozim për import mbetjesh, vendimmarrja i përket Këshillit të Ministrave. Me vendimin e së dielës mbrëma qeveria përcakton vetëm se në Shqipëri nuk do të lejohet importi i mbetjeve, ndërsa ende nuk është bërë publike rruga që do të ndiqet me ligjet që janë në fuqi e që kërkojnë vendimmarrjen e parlamentit për modifikimin ose anulimin e tyre.