Doriana Metollari: Roli i zëdhënësve duhet të rishikohet
Doriana Metollari që është drejtuesja e agjencisë online HermesNews.org, në një intervistë për gazetën Tirana Observer flet për komunikimi mes politikës, medias dhe qytetarëve. Ajo thekson se tashmë vendi ynë ka nevojë për një skemë të re komunikimi. Metollari gjithashtu vë në dukje se roli i zëdhënësit duhet rishikuar. Për këtë ajo jep edhe argumentet e veta se si duhet ndryshuar ky rol.
Dihet që politikanët janë thuajse të gjithë në rrjetet sociale. Sipas jush zëvendësimi i zëdhënësve, është në interes, pikë së pari të tyrin?
Nuk besoj se po zëvendësojnë zëdhënësit, për dy arsye. E para është ajo që unë quaj, bisedë duke u parë në sy. Unë shoh që po vendosin një lidhje komunikimi të drejtpërdrejtë, me qytetarët. E dyta, kjo bën që zëdhënësit të merren me komunikim të një niveli që unë po e quaj me të komplikuar në përmbajtje. Skema e zëdhënësit është e vjetër. Prioritetet e tyre (zëdhënësve) për mendimin tim duhet të ndryshojnë. Nuk jam e mendimit që duhet të hiqen nga skena, por po dalin shpesh dhe nganjëherë për të thënë pak. Nuk mund të ndjekim për 20 vjet, një formë të organizuari konferencash sepse kemi nevoja të tjera. Zëdhënësi ndjek liderit e vet në të gjitha formatet (foto, audio, video), dhe pastaj ua jep gazetarëve të cilët përzgjedhin. Gazetarët online kane shumë zgjedhje dhe pak kohë për të instaluar kamera. HermesNews u zhvendos në Shqipëri pikërisht sepse mendon që terreni stimulon informacionin online. Atëherë pse jemi kaq pak të prirur të modifikojmë zakonet e vjetra. Pse duhet medoemos që gazetarët të ndjekin pas, kur një prej cilësive që i ka bërë të vetat gazetari online është menaxhimi i burimeve nëpërmjet teknologjive të reja. Teknologjitë janë. Burimet po ashtu. Tani duhet organizimi. A mund të na e lehtësojnë punën? Nëse gazetarët punojnë për gazetari dhe zëdhënësi nuk do të tregojë markën e kostumit në TV, unë them se mund të bëjmë diçka më me nivel për audiencën (flas për përmbajtjen). Le ti ruajmë energjitë për gjëra më të rëndësishme. Ne kemi realitetin tonë, kemi gazetarinë tonë, dhe teknologjinë duhet tia përshtatim nevojave tona. Njerëzit presin një gazetari të një standardi të ri sot, jo made in tani e 20 vjet.
Si ka qenë komunikimi deri tani i zëdhënësve?
I sheshtë. Kanë shtuar një e-mail, nuk jam parë ndonjë strategji ne transmetimin e deklaratave. Zor se merren me to sepse janë të zënë për të dalë para kamerave për të dhënë një deklaratë që jepet dhe tre herë të tjera diku tjetër. Të marrësh një kamerë, për të xhiruar 5 minuta një deklaratë që është dhënë më parë në një rrjet social është kohë e harxhuar kot. Propozimi im është i thjeshtë. Na thoni ato çfarë keni për të thënë online, sepse sot jeni të gjithë të pajisur me stafe si fotografë, kameramanë, dilni atëherë kur ne kemi pyetje për të bërë. Ndërsa liderët le të merren me punën.
Atëherë çfarë mund të ndryshojë në rolin e zëdhënësve?
Unë do të sugjeroja plus që ata të bëhen interpretues (kur duhet) të asaj çfarë bëjnë krerët, jo vetëm përçues të fjalëve të tyre. Dalin shumë nëpër ekrane.
Po nëse lajmi merret direkt në rrjetin social po dalin jashtë skene gazetarët?
Sigurisht jo. Unë flas gjithmonë për punën online. Kjo lidhet me rolin që ata kanë bërë deri tani, dhe atë ccfarë duhet të bëjnë tani e tutje. Por duhet të shtoj diçka. Njerëzit gazetat letër nuk i blejnë më, kjo dihet. E megjithatë gazetat letër ende janë të treg.
Shpesh herë krerët dalin vetë (sidomos deputetët) në deklarata për të replikuar.
Në Shqipëri shpesh lajmet bëhen propaganda sepse këtë ua lejojnë vetë gazetarët. Deputettë bëjnë me dhe pa arsye objektive daljen. Shpesh replikat janë thjesht paragjykime dhe nuk kanë përgjigje brenda asaj që thonë. Nuk besoj se ekziston një vend tjetër sa në Shqipëri, që i lihet kaq shumë hapësirë, debateve dhe përgjigjeve paragjykuese. Zëdhënësit dalin dhe japin një përgjigje që më shumë se replikë, është debat kafeje. Reagime të tilla bëhen fare mirë dhe në Facebook. Unë do të sugjeroja që zëdhënesat, të dalin në skenë kur kanë për tu përgjigjur pyetjeve te gazetarëve, deklaratat të bëhen vetëm online dhe plus të marrin në konsideratë kërkesat e gazetarëve online.
Si e parashikoni të ardhmen e tyre (zëdhënësve)?
Me inserimin nëpër rrjetet sociale të politikanëve roli i zëdhënësve po zbehet gjithnjë e më shumë. Unë e quaj nga njëra anë formë e demokracisë së drejtpërdrejtë. Liderët duhet të komunikojnë drejtpërdrejt me qytetarët në Facebook. Kjo e bën më të lehtë marrjen e dhënien e informacionit. Zëdhënësit sduhet të dalin për të bërë përsëritje, por vetëm kur ka zhvillime. Ndërsa politikanët duhet ti japin diçka më shumë në dorë atyre sesa replikave boshe. Ka deputetë që dalin shumë shpesh në televizion dhe për gjithçka. Pastaj dalin dhe zëdhënësit e thonë të njëjtat gjëra. Kjo sepse ka pak koordinim dhe mediat harxhojnë shumë kohë pas tyre, spo flas për gazetarët e paguar nga partitë sepse ata paguhen për tu vrapuar pas, unë po flas për gazetarët që marrin rrogat vetëm në mediat ku punojnë.
Unë do të propozoja një sistem të ri: si fillim zedhënësit të dilnin më pak në skenë, me saktë të dilnin atëherë kur të kanë në dorë për të dhënë informacion dhe kur ngjarjet janë vërtet të ngarkuara. Politikanët të jenë më të drejtpërdrejtë me qytetarët nëpërmjet rrjeteve sociale sepse ata duhet ta dinë sesi vazhdon jeta jashtë zyrës, dhe dialogun në këtë rast ta zëvëndësojë kjo forme interaktive e të marrit dhe të dhënit me njëri-tjetrin. Ky sistem i drejtpërdrejtë konference ku të gjithë marrin pjesë (jo vetëm gazetarët) është demokraci e drejtpërdrejtë. Të gjithë kanë të drejtë të marrin pjesë jo vetëm gazetarët, sepse atëherë e vërteta bëhet një top që kalon nga zëdhënësi tek mediat.