E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO

23-08-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha i konfirmon ministrit të Mbrojtjes të Maqedonisë, Fatmir Besimi, mbështetjen e Tiranës Zyrtare, në hapat e integrimit të Maqedonisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Berisha theksoi se realizimi i reformave dhe raportet e fqinjësisë së mirë mbeten kushte për integrimin e vendeve të rajonit në strukturat Euro-Atlantike

Kryeministri Sali Berisha garantoi dje ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë, Fatmir Besimin, se Shqipëria do të mbështesë integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, veçanërisht në NATO. Kjo u konfirmua gjatë një takimi që kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi me ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë, Besimi. Berisha i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, duke shfrytëzoi edhe rastin për t’i përcjellë Kryeministrit Gruevski dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti përshëndetjet më të përzemërta. Berisha i uroi gjithashtu qeverisë së re të koalicionit suksese në misionin e saj. Ndërsa ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Fatmir Besimi, e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, si dhe i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit Nikolla Gruevski dhe të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti. Në takim dy bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike midis dy vendeve dhe u ritheksua vendosmëria dhe angazhimi i të dy qeverive e vendeve për të ndërtuar infrastrukturën më të mirë ligjore dhe rrugore për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, ministri Besimi e informoi Kryeministrin Berisha se edhe qeveria maqedonase është duke punuar për projektin e segmentit hekurudhor me qëllim mundësimin e lidhjes me infrastrukturë hekurudhore midis të dy vendeve. Qeveria Maqedonase ka parashikuar gjithashtu në programin e saj për këtë mandat, projekte rrugore për bërë të mundur lidhjen me rrugën e Arbrit, e cila është duke u ndërtuar në Shqipëri, duke bërë të mundur kështu që distanca ndërmjet dy kryeqyteteve të shkurtohet. Në takim u vlerësua po ashtu edhe rëndësia jetike e Korridorit 8-të për bashkëpunimin midis dy vendeve, por dhe atë rajonal. Një pikë tjetër në të cilën u ndalën ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë dhe kryeministri Berisha ishte dhe bashkëpunimi i dy vendeve në fushën e mbrojtjes. Për sa i përket bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Besimi u shpreh shumë i lumtur dhe krenar që vizitën e tij të parë zyrtare e zhvillon në Shqipëri, vend i NATO-s dhe shembull frymëzues për të gjitha vendet e rajonit që aspirojnë anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Kryeministri Berisha i rikonfirmoi ministrit Besimi mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe, duke vlerësuar faktin që Maqedonia ka plotësuar kriteret ushtarake dhe të tjera për t’u bërë vend anëtar i Aleancës. Ndërsa lidhur me çështjen e emrit të Shtetit Maqedonas , kryeministri Berisha uroi gjetjen e një zgjidhje midis të dy vendeve fqinje e mike për çështjen e emrit, në mënyrë që t’i hapet rruga anëtarësimit të plotë të Maqedonisë në NATO. Po ashtu në këtë takim bashkëbiseduesit diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në rajon, duke u ndalur në zhvillimet në Kosovë. Kryeministri Berisha rishprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për qëndrimin që qeveria maqedonase mbajti ndaj zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, duke theksuar se respektimi rigoroz i kufijve aktual në rajon, konsolidimi i shtetit të së drejtës në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës është një kusht themelor për stabilitet dhe siguri në rajon, si dhe për luftën e suksesshme ndaj krimit e trafiqeve të paligjshme. Gjithashtu në këtë takim midis ministrit të Mbrojtes së Maqedonisë,  dhe kryeministrit Berisha u rikonfirmua se e ardhmja evropiane dhe euroatlantike e rajonit është dhe mbetet projekti më i shkëlqyer për të ardhmen e popujve të këtyre vendeve, paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në rajon.
Imami-Besimi: Shqipëria mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO/Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, garantoi homologun e tij maqedonas, Fatmir Besimi, se “Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë të gjitha proceset integruese të vendit fqinj, veçanërisht anëtarësimin e Maqedonisë në NATO”. Gjatë një takimi që ministrat e Mbrojtjes së dy vendeve zhvilluan dje në Tiranë diskutuan mbi çështjet që kanë të bëjnë kryesisht me fushën e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale. “Shqipëria ka mbështetur vazhdimisht stabilitetin politik të Maqedonisë, proceset integruese të vendit fqinj dhe marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të shkëlqyera” - u shpreh ministri Imami në konferencën e përbashkët për shtyp, mbajtur pas takimit mes ministrave të dy vendeve
Imami bëri të ditur se gjatë takimit me homologun e tij maqedonas diskutuan për forcimin e marrëdhënieve edhe në fusha të tjera, ashtu sikurse bashkëpunimi që dy vendet kanë në fushën e mbrojtjes. Nga ana e tij, ministri maqedonas i Mbrojtjes, Fatmir Besimi, tha se “sfida e vendit të tij, anëtarësimi  në NATO, duhet të garantojë siguri për vendin dhe për investitorët, në mënyrë që Maqedonia dhe Rajoni të jenë stabël”. Ministri Besimi ndër të tjera e vlerësoi Shqipërinë si shembull për të gjitha vendet e Rajonit që aspirojnë anëtarësimin në NATO. Ministrat e Mbrojtjes së dy vendeve u angazhuan edhe për shkëmbimin e përvojave më të mira në forcimin e shërbimit ushtarak, si dhe për trajnime më dinamike mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›