E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Përmbysja e regjimit të Gedafit, moment historik

Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi ka përshëndetur sot marrjen e kryeqytetit libian Tripoli nga luftëtarët e opozitës ndërsa e ka cilësuar këtë ngjarje si një moment historik në përmbysjen e një prej regjimeve më diktatoriale të kohës, që i ka shkaktuar krime monstruoze vendit të tij.
 

Në një deklaratë për shtyp të publikuar në faqen zyrtare, kreu i shtetit shqiptar thekson se këto ngjarje tregojnë edhe njëherë se popujt liridashës nuk mund të durojnë më diktatorë, që kanë shtypur, kanë kryer krime të panumërta dhe janë pasuruar për dekada të tëra në mënyrë të paligjshme mbi gjakun dhe mjerimin e popujve.
 

“Sot, në kohën e demokracisë, lirive dhe të drejtave të njeriut, fundi i regjimeve diktatoriale është i pashmangshëm, kudo në botë” thekson Topi.
 

Kreu i shtetit thekson se populli shqiptar, si mik tradicional i vendeve arabë, i uron popullit libian një tranzicion sa më paqësor dhe rimëkëmbje sa më të shpejtë të vendit të tyre të shumë vuajtur, në interes të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›