Shqipëria dhe Kosova nxitje të bashkëpunimit në fushën e investimeve dhe atë tregtare
Suksesi i modelit ekonomik të Shqipërisë, Berisha: Privatizimi mbetet baza e reformave dhe stabilitetit ekonomik
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim delegacionin e Kosovës të kryesuar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj. Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, pasi përshëndeti kryeministrin Berisha, parashtroi një plan zhvillimi dhe bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve. Ai paraqiti situatën e sotme ekonomike të Kosovës dhe proceset e privatizimit të sektorëve strategjik të telefonisë dhe energjisë. Ndërsa kryeministri Berisha kërkoi që Kosova të zbatojë mënyrën e veprimit të Shqipërisë për vendosjen e të ardhurave me anë të privatizimeve.
Ministri i Kosovës, Beqaj shprehu besimin se sidomos me kushtet e reja të krijuara, bashkëpunimi i sektorit privat të dy vendeve ka mundësi të rritet edhe më shumë, nga shfrytëzimi i hapësirës së krijuar nga ndalimi i produkteve serbe. Ai shtoi gjithashtu se nxitja e bashkëpunimit duhet të synojë si fushën e investimeve ashtu edhe atë tregtare. “Sektori i prodhimit të energjisë është një sektor tjetër me prioritet për qeverinë e Kosovës, ku ka fushë të madhe bashkëveprimi. Kombinimi i burimeve të energjive të rinovueshme të Shqipërisë me burimet e prodhimit të energjisë nga pasuritë natyrore të Kosovës , si lignit, përben një bazë të fortë për integrimin e sistemeve energjetik të të dy vendeve”- u shpreh Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Beqaj.
Ndërsa kryeministri Berisha pasi i uroi mirëseardhjen ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Beqajt, shprehu kënaqësinë e tij për vendimet e rëndësishme të qeverisë së Kosovës, në lidhje me privatizimet në fushat strategjike, të cilat përbëjnë dhe bazën e reformave themelore ekonomike. Kreu i qeverisë i quajti këto vendime të guximshme si shumë të rëndësishme për zhvillimin e shpejtë ekonomik të Kosovës duke iu referuar shembullit qeverisës të Shqipërisë, e cila falë privatizimeve arriti të ngrejë të ardhurat për frymë nga 204 dollarë në 1992, në rreth 800 dollarë sot.
Është tashmë e faktuar, deklaroi kryeministri Berisha, që menaxhimi i suksesshëm dhe efiçenca e ekonomisë qëndron në anën e sektorit privat.
Në këtë kuadër kreu i ekzekutivit, Berisha theksoi se edhe ekonomia shqiptare është bazuar thellësisht në privatizime, të cilat janë drejt përfundimit duke mbajtur në sektorin publik vetëm disa asete të rëndësishme energjetike, asetet e sektorit të arsimit dhe të shëndetësisë. “Qeveria e Kosovës, ashtu si Shqipëria, duhet ta bazojë rritjen ekonomike të Kosovës dhe të mirëqenies të qytetarëve të saj, në shfrytëzimin efiçent dhe transparent të pasurive natyrore të saj, sidomos në sektorin e energjisë”- theksoi me tej kryeministri Berisha. Më tej në vijim të këtij takimi kryeministri Berisha vuri theksin se synimi final i të dy vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë është dhe duhet të jetë rritja e të ardhurave për frymë dhe përmirësimi i standardeve të jetesës. “Bashkëpunimet tregtare, në fushën e energjisë, si dhe në fushën e bujqësisë dhe agro-biznesit, janë në qendër të vëmendjes të qeverisë shqiptare dhe bashkërendimi i punës në këtë drejtim me qeverinë e Kosovës është i rëndësishëm për zhvillimin e shpejtë të ekonomive të dy vendeve.
Kombinimi i burimeve natyrore të prodhimit të energjisë të të dy vendeve dhe lidhja e sistemeve energjetik me qëllim unifikimin e tyre, nuk është gjë tjetër veçse rruga drejt krijimit të një modeli të suksesshëm energjetik”- u shpreh kryeministri Berisha.
Ndërsa lidhur me ndërtimin e linjave të transmetimit si ajo Tiranë-Prishtinë, Berisha tha se ky investim jo vetëm forcon integrimin e sistemeve energjetike, por rrit edhe efiçencën e funksionimit të tyre, duke kursyer 20% të burimeve energjetike.
Ministri i Kosovës e falënderoi edhe njëherë kryeministrin Berisha, për ndihmën e dhënë Kosovës, në të gjitha fushat dhe konkretisht në atë ekonomike, duke premtuar për forcimin e bashkëpunimit në fushat e sipërpërmendura. Ai theksoi se qeveria e Kosovës, do të vazhdonte me zhvillimin e kapaciteteve termike bazuar në burimet natyrore të Kosovës, të cilat komplementojn zhvillimin e kapaciteteve hidrike dhe eolike të Shqipërisë. Zhvillimet e bashkëpunimit dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, veçse ndihmojnë integrimin ekonomik të të dy vendeve, përfundoi fjalën e tij Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Besim Beqaj.