Shqipëria, me 80% zbatim të Planit të Rritjes së BE-së

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Shqipëria konfirmohet mes vendeve me performancën më të mirë në zbatimin e reformave të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Agjencia për Media dhe Informim informoi se sipas Komisionit Europian vendi ynë pritet të arrijë rreth 80% të zbatimit, duke u renditur krah Malit të Zi në krye të rajonit dhe duke reflektuar përparimin e rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
MIA i referohet deklaratës së drejtorit të përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Gert Jan Koopman, i cili, gjatë një paraqitjeje në Parlamentin Evropian, e cilësoi Shqipërinë si një nga vendet me performancën më të mirë në rajon.
“Shqipëria dhe Mali i Zi janë vendet me ecurinë më të mirë në zbatimin e reformave të parashikuara nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me një nivel të pritshëm zbatimi prej rreth 80% deri në muajin qershor”, ka deklaruar drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Gert Jan Koopman.
/k.s/j.p/