E Enjte, 5 Nëntor 2026

Shqipëria me një sistem kombëtar transfertash për Euron

Çdo individ apo biznes, nëse përfitonte një kredi në Euro dhe kërkonte ta shlyente atë në mënyrë të menjëhershme në një moment të caktuar të periudhës së shlyerjes, duhet të priste disa ditë sa transaksioni të miratohej jashtë vendit. Bankat tregtare nuk ofronin këtë shërbim. Ndryshonte puna nëse transaksioni ishte në monedhën shqiptare. Në këtë rast Banka e Shqipërisë vinte në funksionim një llogari ndërmjetëse në lekë dhe transaksioni kryhej brenda orës. Por nuk ekzistonte kjo llogari në monedhë të huaj dhe transaksioni zgjaste në kohë, duke kaluar nga banka tregtare në Shqipëri në një bankë korrespondente jashtë vendit dhe më pas realizohej pagesa.

Vonesa në kohë e transaksionit dhe sidomos edhe komisionet në të gjitha hallkat e bankave tregtare e bënin gjithnje e më të shtrenjtë kredinë apo edhe pagesën, sidomos në rastin e ndërveprimeve bankare të biznesit.

Pas pothuajse një dekade, më në fund, anëtarët e Këshillit Mbikqyrës miratuan funksionimin e një sistemi që realizon shlyerjen e transfertave vendase për klientë në Euro, por edhe funksionimin e sistemit të pagesave ndërbankare me vlerë të madhe.

Rregullorja, e bërë publike këto ditë, synon jo vetëm rregullat për operimin e sistemit, por cakton edhe komisionet që bankat mund t’u vendosin klientëve të tyre për pagesat në euro.

Nga analizimi i të dhënave rezulton se një përqindje e konsiderueshme për pagesat brenda vendit në Euro kryhet në librat e bankave që do të thotë mbajtjen e llogarive në disa banka me qëllim shmangien e komisioneve ndërbankare. 

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, me sistemin e ri, për vlerën më të vogël ose të barabartë me 10 mijë euro, komisioni i aplikuar nga banka nuk duhet të jenë më i lartë se 0.2% e vlerës së transferuar, ndërsa komisioni dysheme nuk mund të jetë më i lartë se 6 euro. Rregullorja e re mundëson për herë të parë shlyerjen brenda vendit të transfertave kombëtare në monedhën europiane. 

Gjithashtu, rregullorja parashikon se për transfertat e kryerja përmes këtij sistemi në asnjë rast nuk duhet të aplikohen komisione për fondet në mbërritje. Përdorimi i këtij sistemi bëhet i detyrueshme për të gjitha bankat tregtare në Shqipëri. Bizneset dhe individët tanimë shpëtojnë nga humbja e panevojshme e kohës nëpër sportelet e bankave dhe komisionet e majme që duhet t’u paguanin bankave tregtare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›