E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiperia me trajner italian

Shqipëria kërkon trajner një italian për stolin e kombëtares. Për të zgjidhur sa më shpejt ngërçin e drejtuesit të ri të stolit kuqezi, kreu i FSHF-së, Armand Duka ka udhëtuar gjatë fundjavës në Milano, për të biseduar me kandidatët potencialë. Së bashku me të, gjatë negociatave ishin të pranishëm edhe dy zëvendës presidentët e federatës, Nuri e Kasmi, si edhe sekretari i përgjithshëm, Prodani.

Duka ka preferuar të negociojë personalisht me alternativat që vijnë nga përtej Adriatikut, ndërsa në listën personale nuk mungojnë emra të mëdhenj, të cilët vlerësohet se mund ta pranojnë detyrën e teknikut të Shqipërisë. Mes alternativave janë Xhankarlo Kamoleze, Xhani De Biazi, Benito Karbone e Xhuzepe Pilon. Ndërkohë, një javë më parë në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, drejtuesi më i lart I futbollit shqiptar ishte takuar me Mario Beretën.

Kamoleze, i cili aktualisht është pa punë, ka drejtuar disa herë Torinon, por edhe Rexhinën, Viçencën e Livornon. De Biazi, që deri në vitin 2010 ka drejtuar Udinezen, gjatë karrierës së tij të gjatë ka punuar edhe te Modena, Breshia, Torino apo Levante. Karbone, që më 1 tetor 2011 është larguar nga stoli i Varezes, më parë ka punuar edhe te Pavia.
Pilon është një prej trajnerëve më të njohur italianë, pasi ka drejtuar 14 skuadra, mes të cilave Xhenoa, Empoli, Askoli, Livorno, Bari, Rexhia e Kievo. Edhe Bereta është një emër i mirënjohur, që në karrierën e tij ka drejtuar Kievon, Parmën, Sienën, Leçen, Torinon, PAOK-un në Greqi dhe së fundmi Breshian.
Përfaqësuesja shqiptare ka mbi 40 ditë pa trajner, që prej largimit të kroatit Josip Kuzhe, ndërsa Duka shpreson që të gjejë sa më shpejt drejtuesin e ri të stolit.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›