E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria merr “bekimin” e NATO-s

Samiti i NATO-s në Bukuresht do te jetë një samit i zgjerimit të mëtejshëm të aleancës veri-atlantike me të paktën dy shtete: Shqipërinë dhe Kroacinë. Ka qenë kjo fryma e takimit të djeshëm midis ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare dje në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel. Përpos temave të nxehta të momenti siç është situate në Irak Afganistan dhe Kosova pas shpalljes së pavarësisë, çështja e zgjerimit ka qenë ashtu si edhe ishte paralajmëruar në fokus të diskutimeve. Në tërësi u konfirmua vullneti i aleancës për t’u zgjeruar dhe shtrirë kufijtë e saj deri në kufi me Rusinë, megjithatë u vu re mungesa e një konsensusi të plotë mbi shtetet që duhet ti atashohen së afërmi NATO-s. Kroacia ka qenë ndër pretendentët më pak të debatuar në një kohë që republikat e ish-Bashkimit Sovjetik, Ukraina dhe Gjeorgjia cilësohen si mjaft problematike në shumë aspekte. Vendi ynë ashtu sikurse është theksuar në të gjitha prononcimet e zyrtarëve të lartë nuk përbën kurrfarë problemi qoftë përsa i përket aspektit politik po ashtu edhe standardeve që i janë caktuar për të përmbushur. Megjithatë për shkak të një krize diplomatike që ka në qendër Maqedoninë dhe Greqinë për çështjen e emrit të ish-republikës jugosllave, fati i Shqipërisë në mënyrë abuzive është lidhur me atë të Shkupit. Një diskurs i tillë paraprin skenarin më të keq atë të vetos së paralajmëruar tashmë të Athinës për mosaderimin e Maqedonisë në aleancë, për sa kohë nuk gjendet një zgjidhje për emrin. Në një rast të tillë vendi ynë mendohet që të funksionojë si një spondë që do të vazhdojë të motivojë Shkupin për të plotësuar detyrat e anëtarësimit. Të 26 vendet anëtare duhet të jenë dakord para marrjes së një vendimi zyrtar në samitin e Bukureshtit në fillim të muajit të ardhshëm. Pas takimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, tha se nuk ishte marrë asnjë vendim, por se ai kishte mjaft besim se do të mund të njoftojë një zgjerim të mëtejshëm të NATO-s në Bukuresht. “Nga atmosfera e diskutimeve për zgjerimin, mendoj se mund te them me siguri se NATO nuk është lodhur së zgjeruari. Unë shpresoj, por mund të them vetëm se shpresoj, për të mos rënë në kontradiktë me vetveten, se në samit mund të jemi në gjendje të themi se familja e NATO-s po zgjerohet përsëri” - tha Scheffer. Ndërkaq, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ndodhet për një vizitë në Londër, tha për BBC-në se mesazhi nga selia e NATO-s në Bruksel ishte shumë pozitiv. “E para, u konfirmua që samiti i Bukureshtit do të jetë samit zgjerimi. E dyta, që është shumë e rëndësishme, çdo vend do të vlerësohet bazuar në meritat e veta, domethënë të performancës së vet në realizimin e standardeve. Kjo është e rëndësishme, sepse në analizën që i është bërë planit të veprimit për anëtarësim të Shqipërisë, vlerësimet kanë qenë jashtëzakonisht pozitive. Kam bindjen që tre vendet e A3-shit duhet ta marrin ftesën” - deklaroi për BBC-në ministri Mediu.
Bakojanis: Shqipëria në NATO, fati i saj, asnjë lidhje me atë të Maqedonisë/Një skenar i tillë është hedhur poshtë nga vetë Ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis. Gjatë një konference të posaçme për shtyp, ajo ka konfirmuar kundërshtimin e Athinës për hyrjen e Maqedonisë në NATO, për shkak të këmbënguljes së Shkupit për të mos ndryshuar emrin aktual, në një kohë që ka përjashtuar çdo implikim të kësaj çështje me Shqipërinë, për të cilën ajo shprehu mbështetje të plotë për atashimin në aleancë sikurse dhe për Kroacinë. “Unë u kam ritheksuar aleatëve se për fat te keq politika e ndjekur nga qeveria e fqinjit tonë - veçanërisht përsa i përket pozicionit intransigjent dhe aksionet e stisura nga një logjikë irredentiste dhe nacionaliste që lidhen me çështjen e emrit – nuk na lejon që të marrim të njëjtin pozicion pozitiv për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, ashtu siç jemi shprehur në favor të anëtarësimit në NATO të Kroacisë dhe Shqipërisë”- deklaroi Bakojanis.
Gjermania mbështet pa rezerva integrimin e Shqipërisë në NATO/Vlerësimi maksimal për rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare ishin mesazhet kryesore që u përcollën gjatë takimeve me bashkëbiseduesit gjermanë. Gjermania mbështet pa rezerva integrimin e Shqipërisë në NATO. Ishte ky konfirmimi që zyrtarë të qeverisë gjermane i shprehën ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, gjatë një vizite të tij në Berlin. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Jashtme, ministri Basha mori pjesë në konferencën "Mundësitë dhe kufijtë e zgjerimit të mëtejshëm përpara Samitit të NATO-s në Bukuresht", organizuar në Berlin nga Fondacioni 'Konrad Adenauer'. Në fjalën e tij, mbajtur në këtë konferencë, ministri Basha theksoi domosdoshmërinë e zgjerimit të Organizatës së Atlantikut të Veriut me vendet e Kartës së Adriatikut, për garantimin afatgjatë të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në Europë. Lidhur me Samitin e pritshëm të NATO-s në Bukuresht dhe mundësinë e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, z. Basha prezantoi ecurinë e reformave të brendshme në Shqipëri dhe gatishmërinë e vendit tonë për t'u bërë anëtar i Organizatës së Atlantikut të Veriut. Gjatë qëndrimit të tij në Berlin, ministri i Jashtëm u takua me ministrin e Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Gernot Erler dhe Këshilltarin Diplomatik të Kancelares Merkel, Christoph Heusgen. Vlerësimi maksimal për rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare ishin mesazhet kryesore që u përcollën gjatë takimeve me bashkëbiseduesit gjermanë. Ata konfirmuan mbështetjen e plotë dhe pa rezerva të Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë në NATO. "Ky proces është i bazuar mbi perfomancën individuale të secilit prej vendeve aspirante", thanë bashkëbiseduesit.
D’Alema: Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia duhet të ftohen në aleancë/Ministri i Jashtëm i Italisë, Masimo D’Alema ka deklaruar dje në përfundim të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, gjatë se cilit u diskutua ne lidhje me zgjerimin e ardhshëm të Aleancës me tre vendet e Kartës së Adriatikut, se ka kërkuar përshpejtimin e hapave për aderimin e vendeve të Kartës së Adriatikut në NATO. “Qëndrimi i Italisë është ai që të treja këto vende, të përfshira në planin e aksionit të vendeve anëtare të NATO-s, të ftohen në samitin e Bukureshtit. Ne jemi pro përshpejtimit të procedurave për anëtarësimin e këtyre 3 vendeve, duke patur parasysh se ato kanë fituar standardet e nevojshme”- u shpreh D’Alema, duke vënë në dukje rëndësinë e një hapi të tillë për sigurinë në Ballkan. Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë gjermane, Frank Valter Shtajnmejer, ka thënë se ftesa për anëtarësimin e vendeve të A3 në NATO, varet nga çështja e Maqedonise. Sipas tij duhet zgjidhur sa më parë çështja e kontestit për emrin e Maqedonisë, e cila ka shkaktuar përplasje me Shkupit dhe Athinës. Duke folur për këtë çështje, dhe për kërcënimet greke për bllokimin e pranimit të Maqedonisë në NATO nëse nuk gjendet zgjidhje e përbashkët për emrin, sekretari i përgjithshem i NATO-s, Jap de Hop Shefer tha se aleanca nuk do të prononcohet për çështjen rreth emrit të Maqedonisë deri në Samitin në Bukuresht. “Nuk dëshiroj ta komentoj këtë. Ky nuk është roli im dhe NATO-ja nuk ka kompetenca në këto bisedime. Ky proces po zhvillohet nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara dhe Metju Nimiçit” - deklaroi Shefer.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›