Tragjedia e 6 marsit trondit Shqipërinë
Është kthyer në një tragjedi e vërtetë festa e një ditëlindjeje, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në liqenin e Farkës në Tiranë, ku janë mbytur 16 pjesëtarë të familjes Osmani, Hysa, Dibra, Blamo. Të rinj dhe të reja, miq, shokë dhe familjarë, pasi kanë gëzuar deri në orët e mesnatës të së martës, ditëlindjen e Alban Osmanit, kanë përfunduar në ujërat e ftohta dhe kanë humbur jetën. Tentativa për t’i rënë shkurt dhe për të kursyer minutat e pasmesnatës, me dëshirën për të shkuar sa më parë në shtëpi dhe për të prehur trupin e lodhur, i kushtoi shtrenjtë pronarit të lokalit, që përfundoi në një tragjedi ku humbi jetën edhe vetë ai, Afrim Dibra. Ndodhi kështu pasi Dibra i besoi “përvojës” në një zeje të palicencuar, të cilën e kreu me zellin e një skafisti, vetëm e vetëm për të përfituar pakëz fitime më shumë nga klientët të cilët deri më dje i befasoi me shërbimet më të veçanta dhe të panjohura deri më tash nga asnjë biznesmen tjetër që mbarështron lokale ngrënieje.
Askush deri më tash nga instancat e pushtetit vendor, nuk e vuri ujin në zjarr për t’u shqetësuar për mungesën e sigurisë së një shërbimi ndaj qytetarëve me trapa që kalonin nëpër rezervuar liqenin e Farkës, e që para një viti përfaqësoheshin nga një dysheme me dërrasa të fiksuar mbi fuçi boshe që imitonin trapin me të cilin Robinson Crusso u largua nga ishulli. Me rritjen e fitimeve pas një shërbimi të tillë mbi ujërat e liqenit me shijen e ushqimeve të lokalit të Afrim Dibrës në gojë, ky pronar që pandehu se mund të aplikonte në Farkë përvojën që thjesht e kish parë në Gjermani, nuk bëri tjetër përveçse krijoi në mënyrën më të natyrshme “kushtet”, me anë të të cilave u joshën pjesëmarrësit e trullosur nga pija në festën e ditëlindjes së Albanit. Ky shërbim origjinal që deri më dje trajtohej si më unikali në rrethinat e Tiranës dhe në mbarë vendin e nga i cili kënaqën preferencat për peisazhe kodrinore dhe festa familjare. Mijëra klientë, në orët e mesnatës së djeshme u shërbyen në një shërbesë - funerale, për 15 fatkeqë dhe për pronarin vetë. Do të ishte vajza e këtij të fundit që zvogëloi përmasat e tragjedisë teksa shpëtoi 4 kandidatë për udhëtimin e ferrit, të cilët i mbijetuan kësaj tragjedie duke arritur të dalin në breg. Pushteti vendor nuk bëri gjë tjetër veçse që në fillimet e hapjes së këtij biznesi voli taksat dhe shijoi mishrat e pjekur në breg të rezervuarit ndërsa tani kakarasin që në vend të xhaketës të vendosin një shami të zezë mëndafshi dhe të hedhin ca para të marra nga arka e komunës dhe nisin kështu udhëtimin e tyre për në Tufinë apo për në varrezat e fshatit, ç’ka e bën më të lehtë bash me peshën e përgjegjësisë dhe fajit ligjor në ndërgjegje dhe kurrë të ndëshkuar ligjërisht. Detaj më i dhimbshëm i kësaj tragjedie ishte humbja e jetës së dy vogëlushëve binjakë që nuk kuptuan asgjë se ç’gatuan të mëdhenjtë dhe përse ndodheshin aty. Tashmë në listat tona të të gjallëve do të kemi 16 jetë më pak, ndërsa në varreza 16 togje dheu më shumë. Nuk do të mungojë edhe kurorat e atyre që kanë rastin të dalin në televizione dhe të shprehin ngushëllime në emër të institucioneve, që në fakt nuk bënë asgjë dhe nuk parashikuan asgjë për këtë tragjedi. Ndoshta, do të mjaftojë kjo tragjedi që ti rikthehemi përgjegjshmërisë dhe parandalimit me akte ligjore dhe nënligjore të zejeve të palicensuara që lidhen me sigurinë e jetesës së njerëzve. Megjithatë është shumë për të nxjerrë mësime nga ky pësim tragjik, ku nga 16 të vdekur, 8 prej tyre i përkasin vetëm një familje, asaj Osmani.
Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Policia e Qarkut te Tiranes konfirmoi se në orën 00.05’ të datës 06 mars 2008, shërbimet e policisë u njoftuan nëpërmjet Sallës Operative, nga një telefonatë e kryer nga një shtetase, për dhënie ndihme të disa personave, të cilët po mbyteshin në liqenin e Farkës në Tiranë. Menjëherë në vendin e ngjarjes, nën drejtimin e Drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë z. Muhamet Rrumbullaku, në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë si dhe Reparti i Zhytjeve së RENEA-s, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, me synim për t’ju ardhur në ndihmë shtetasve, të cilët rrezikonin të mbyteshin. Megjithë fillimin e Operacionit të kërkim – shpëtimit, të organizuar në praninë e zv/Ministrit Gent Strazimiri, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prenci dhe skuadrave të shpëtimit të Batalionit Special të Ushtrisë, i nisur në mënyrë të menjëhershme, fatkeqësisht ka qenë e pamundur shpëtimi i viktimave, pasi gjithçka ka ndodhur brenda pak minutave. Sipas të mbijetuarve, të gjithë shtetasit të ndodhur në motobarkë, kanë qenë duke darkuar dhe më pas janë larguar nga Bar - Restorant “Liqeni” për të kaluar në bregun tjetër. Të 19 personat kanë hipur në një barkë të mbyllur, me një kapacitet normal për të transportuar 5 deri në 7 pasagjerë, ç’ka ka sjellë dhe përmbysjen e menjëhershme të saj, diku në mes të liqenit, duke shkaktuar mbytjen brenda pak minutave të të gjithë personave në bord, në pamundësi për të dalë prej saj. Ndërkohë, nga të dhënat e marra në vend ngjarje, u konkludua se viktima shtetasi Afrim Dibra, ishte pronari i Bar - Restorant “Liqeni”, ku paraprakisht mendohet se është shkaktari i kësaj tragjedie fatale, duke organizuar lëvizjen me vetëm një motobarke me plot 19 persona në bord. Të mbijetuar nga kjo tragjedi janë shtetasit, Beqir Sinani, Luena Behar Spahiu,
Romina Pëllumb Hysa, Erjona Afrim Dibra ( e bija e pronarit të Bar – Restorant “Liqeni”). Rezultojnë të mbytur nga kjo tragjedi shtetasit, Pëllumb Hysa, Majlinda Hysa, Alban Hysa, Aurela Osmani, Halil Osmani, Hatixhe Osmani, Eljo Osmani, Alket Osmani, Ida Osmani, (Gersi Osmani, Rei Osmani, respektivisht 3 – vjeç binjakë), Thëllëza Spahiu, Arlind Spahiu, Afrim Dibra, Pranvera Blamo, Erjon Blamo.
Operacioni i kërkim - shpëtimit përfundoi në orën 03.00’, të ditës së djeshme duke bërë të mundur nxjerrjen nga liqeni të 16 – trupave të mbytur. Trupat e pajetë u dërguan në morgun e spitalit në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës. Të mbijetuarit dëshmojnë se në momentin që janë nisur barka ka filluar të mbushet me ujë dhe pasi është përshkuar një pjesë e liqenit ka ndodhur dhe fundosja e saj së bashku me 19 personat në bord. Nga dëshmitë e tyre bëhet e ditur se gjatë udhëtimit për në restorant janë përdorur dy barka, kurse gjatë kthimit është përdorur vetëm një e cila ka nisur të fuse ujë që në momentin që pasagjerët kanë hipur në të. Barka e aksidentit e cila tashmë ndodhet në fund të liqenit mësohet se ka qenë e rrethuar me qese, gjë që sipas të mbijetuarve ka sjellë vështirësi në daljen e personave nga bordi i saj. Ndërkaq, 4 nga trupat e pajetë, pas identifikimit janë nisur për në Berat për tek të afërmit e tyre. Të afërmit kanë tërhequr 4 trupat dhe sot kryhen të shërbesat dhe ritet e fundit për ti përcjellë drejt banesës së fundit, njerëzit e tyre të dashur.
Leonard Quku