Shqipëria miraton garancinë për impiantin fotovoltaik në Belsh, Kadiu: Investim 41,7 mln euro

Komisioni Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat miratoi projektligjin për ratifikimin të marrëveshjes së garancisë mes Shqipërisë dhe BERZH-it për ndërtimin e impiantit fotovoltaik në Belsh.
Zëvendësministri Besjan Kadiu theksoi se projekti do të forcojë sigurinë energjetike dhe do të rrisë rolin e energjisë diellore në vend.
“Parashikohet që të jetë 41.783 milionë euro, nga të cilat do të financohen 30 milionë euro nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ndërsa 2.2 milionë euro do të financohen nga Korporata Elektroenergjetike si kosto lokale. Gjithashtu, ky projekt ka përfituar nga fondet grant prej 9.6 milionë dollarësh,” tha Kadiu.
Opozita ngriti shqetësime për garancinë shtetërore të pakushtëzuar, duke e konsideruar një risk të lartë fiskal për buxhetin. Deputeti Besart Xhaferri tha se mungesa e transparencës dhe rreziku nga normat e interesit mund të rëndojnë ndjeshëm financat publike.
“Pa këto, qëndrueshmëria financiare nuk provohet,” tha Xhaferri.
Investimi, me vlerë totale 41.7 milionë euro, mbështetet nga një hua e BERZH-it, kontributi lokal i KESH-it dhe një grant prej 9.6 milionë dollarësh. Impianti pritet të gjenerojë rreth 1% të prodhimit vjetor të energjisë dhe të ndihmojë në diversifikimin energjetik.
Gazetare: Bjolanda Cuku
/rtsh.al/