Shqipëria mund Armeninë në miqësore, Cana: Po formohet një identitet
Ekipi shqiptar i futbollit ka fituar miqesoren që u luajt mbrëmë në Qemal Stafa kundër Armenisë me rezultatin 2-0.
Një fitore që i shton optimizmin kuqezinjve para ndeshjeve me Slloveninë dhe Islandën, të vlefshme këto për në eleminatoret e Botërorit Brazil 2014.
Sipas ekspertëve mungesa e lojtarëve kyç në kombëtare nuk u ndje aspak, sepse të gjithë luajtën më së miri.
Secili prej tyre ka ardhur me një mentalitet shumë të mirë për të ndihmuar ekipin kombëtar, por edhe për të treguar vlerat dhe arsyen pse janë grumbulluar. Ata kanë ardhur me një dëshirë shumë të madhe dhe kanë treguar shumë cilësi sonte, pavarësisht se fusha nuk të lejon të luash gjithnjë mirë. Skuadra zhvilloi një lojë shumë të mirë, edhe me 1 apo 2 takime, dhe me rëndësi është që po formohet një identitet, gjë që ekipi kombëtar nuk e ka arritur kurrë në historinë e tij. Identiteti nuk arrihet për 5 apo 6 ndeshje, por duhen 2, 3 apo 4 edicione për ta formuar, tha Lorik Cana.
Goli i parë i ekipit të italianit De Biazi u shënua në minutën e 21 nga Rama. Në pjesën e dytë të takimit futja e Kaçes në fushë ndryshoi rrjedhën. Ai dyfishoi rezultatin me një eurogol, i pari për të me fanelën kuqezi.
Armenia pati raste, por u ndalua në mënyrë mjeshtërore nga portieri Berisha. Ndërkohë ndeshjet e radhës së kombëtares tonë do të jenë më 6 shtator me Slloveninë dhe më 10 shtator me Islandën.