E Diel, 1 Nëntor 2026

Inflacioni i regjistrimeve në universitetet shqiptare

Në një analizë të botuar në gazetën “DITA”, Fatos Tarifa prezanton disa shifra paradoksale rreth regjistrimit në universitetet
shqiptare. Kështu, sipas Tarifës, Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tiranës (UT) ka 10 mijë studentë - më shumë se sa universiteti i Princetonit me 7500. Por, ndërsa këtyre 7500 studentëve në Princeton u japin mësim mbi 1170 pedagogë (raporti: 1 pedagog për 6-7 studentë) në UT japin mësim 150 të tillë (raporti: 1 pedagog për 65 studentë). Ky raport, sipas Tarifës është tipik për vendet e “Botës së Tretë”.

 Dhe ç’është më paradoksale, një dyndje të tillë në auditoret e universiteteve e shkakton vetë Ministria e Arsimit, e cila cakton në mënyrë të centralizuar kuotat e pranimit në çdo fakultet e universitet publik. Kjo mënyrë e shpërndarjes së kuotave të kujton kohën e regjimit komunist, kur shteti caktonte se ku do të shkonte çdo nxënës i shkollës së mesme, pasi mbaronte maturën.
 Në botën e zhvilluar demokratike, kuotat e pranimit në universitete caktohen nga vetë ato, në përputhje me kapacitetet pedagogjike dhe infrastrukturore të tyre, si dhe në vartësi të kërkesës për diplomim në fakultete të veçanta. Edhe përzgjedhja e kandidatëve për pranim bëhet nga vetë universitetet, në varësi të rezultateve në provime, notës mesatare dhe cilësisë së shkollës së mesme të kryer nga kandidatët.

Në botën e zhvilluar demokratike, shteti ndërhyn kryesisht në dhënien e bursave të plota dhe gjysmë-bursave për studentët që zgjedhin fakultete për të cilat nuk ka shumë kërkesë, por shoqëria ka nevojë. Gjithashtu shteti jep bursa për studentët nga familje të varfëra, të cilat nuk mund të përballojnë pagesën e regjistrimit në universitet dhe shpenzimet e konviktit. Dhe në raste të veçanta shteti financon drejtpërdrejt pjesërisht fakultete të domosdoshëm që kanë frekuentim të ulët.

 Ndërsa dyndja e universiteteve shqiptare me studentë nga Ministria e Arsimit (siç e demonstron raporti 1 pedagog për 65 studentë) nuk mund t’i shërbejë as shoqërisë dhe as familjeve të këtyre studentëve. Vërtet kostoja e marrjes së një diplome mund të jetë e ulët si për shoqërinë edhe për familjet shqiptare, por edhe vlera e saj do të jetë po ashtu e ulët. Për të mos thënë se do të ketë një ditë vlerën e atyre letrave që lëshonte Sudja në 1997-ën, të cilat një ditë të bukur u bënë letra fare pa vlerë…

 Shënim: Niveli i regjistrimit të maturantëve amerikanë në universitete (publikë e privatë) arriti rekordin vjet me 66.2%. Krahasimisht, në Shqipëri u arrit niveli 81%... 

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›