Shqipëria mund Maqedoninë e Veriut dhe ngjitet në vend të dytë

Shqipëria në volejboll për meshkuj ka arritur të rrëmbejë fitoren e dytë në ndeshjen e katërt të Grupit B në Ligën e Argjendtë duke mundur Maqedoninë e Veriut me rezultatin 3-1. Në sfidën e zhvilluar në Tiranë, në sallën e lojërave në Farkë, gjithçka u dominua nga të besuarit e trajnerit Jani Melka, që mposhtën për herë të dytë përfaqësuesen e vendit fqinj.
Kuqezinjtë e nisën gjithçka në mënyrën e duhur, duke fituar setin e parë me rezultatin 25-20. Në të dytin maqedonasit reaguan dhe arritën të fitojnë me rezultatin 25-20. Seti i tretë foli totalisht për kuqezinjtë që fituan 25-16. Një garë e fortë u zhvillua në setin e katërt ku Shqipëria arriti të fitojë 25-22(3-1).
Një fitore e rëndësishme për Shqipërinë, që synon kualifikimin, një vend në “Final Four”. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të grupit, Rumania kryesuese arriti të mposhtë Bosnjen me rezultatin 3-1. Rumania mban vendin e parë me 11 pikë, ndërsa Shqipëria në vendin e dytë me 7 pikë, ndjekur nga Bosnja me 4 pikë dhe Maqedonia e Veriut me 2 pikë.