E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Presidenti i ri, Alibeaj: Nuk marrim pjesë në raundin e katërt! Balla: Fyerje për zgjedhësit e tyre

Kryetari grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj në një prononcim për media ka bërë me dije se nuk do të marrin pjesë në votimin për raundin e katërt për zgjedhjen e presidentit të ri, në seancën që do të mbahet më 4 qershor në Kuvend në orën 18:00.

“Kjo ishte arsyeja që, që në fillim, duke respektuar detyrimet morale, politike, u futëm në proces në mënyrë të hapur, pa u fshehur. Duke marrë pjesë edhe duke përcaktuar rregullat, sesi duhej të ishte procesi që produkti të ishte jo vetëm i gjithëpranuar, por edhe të ushtrohej siç e do Kushtetuta detyra e Presidentit. E vutë re të gjithë çfarë ndodhi me partitë. Arritëm sot para momentit, kur Shqiptarët duhej ta dinin kush do të ishte presidenti. Qëndrimi ynë është, nesër nuk ka asnjë sens që PD të marrë pjesë në procesin e votimit. Do të legjitimonte kapjen e mazhorancës nga ana e Edi Ramës”, tha Alibeaj. Ndërkohë edhe Sali Berisha në konferencën e mbajtur për media, njoftoi se do të jetë i pranishëm në seancë plenare për raundin e katërt për zgjedhjen e Presidentit, por do të kundërshtojë çdo kandidaturë të mazhorancës.

Pak pas deklaratës së Alibeaj, ka reaguar dhe kryetari i grupit parlementar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Ky i fundit ka se bojkoti i PD nuk sjell asnjë përfitim, por është fyerje dhe shpëfillje e delegimit të sovranitetit të zgjedhësve.

“PD i rikthehet bojkotit të Kuvendit?! “Të kërkosh suksesin nuk do të thotë të mos bësh gabime, por të mos bësh të njëjtin gabim për herë të dytë”, apo të tretë, – pat thënë George Bernard Shaw. Bojkoti nuk sjell kurrë ndonjë përfitim, ai është thjeshtë fyerje dhe shpërfillje e delegimit të sovranitetit të zgjedhësve”, deklaroi Balla para mediave.

Mazhoranca ka afat deri më 4 qershor deri në orën 12:00 për të depozituar në Kuvend emrat për kandidatët për president. Në orën 16:00 do të mblidhet Komisioni i Ligjeve për të shqyrtuar kandidatët dhe më pas në orën 18:00 do të mblidhet Parlamenti për seancë plenare për votimin e kandidatit. Mazhoranca në raundin e katërt dhe të pestë mund të zgjedhë kandidatin për President me 71 vota, të cilat i disponon.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›