E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ylber Sefa, fitues i turit të Shqipërisë

Ylber Sefa është fituesi i Rrethit të 79-të Çiklistik të Shqipërisë. I ka mjaftuar fitorja në etapën e fundit, Gjirokastër – Fier, e gjatë 160.6 kilometra, që çiklisti i Shqipërisë të rekuperojë 20 sekondat e humbura ndaj rumunit Raileanu. Një etapë që ka patur dhe një vajtje në Vlorë e Panaja për t’u mbyllur përfundimisht në Fier, ndërsa Sefa e ka prerë i pari finishin në kohën 2h24’10”.

Një etapë që ka patur një shpejtësi të madhe orare krahasuar me etapat e tjera, 66.839 kilometra në orë. Në këtë etapë të fundit kanë qenë dy finishe. I pari në kilometrin e 20-të në një sprint të ndërmjetëm, që u fitua nga Steva Klisuriç i Meridian Kamen Team. Kurse i dyti në kilometrin e 61-të, në një finish malor të kategorisë së tretë, që u fitua Lorens Shote i Asfra Rasing Tim në Belgjikë.

Mikel Demiri ruan fanellën e kuqe dhe vendin e parë në renditjen e moshës deri në 23 vjeç me kohën 16h08’13. Kurse si ekip fitues ishte kombëtarja e Shqipërisë me kohën e përgjithshme 48h26’37”. Dhe Rrethi i 79-të Çiklistik i Shqipërisë është mbyllur në mënyrë triumfale në qendër të Fierit, atje ku të gjithë janë përshëndetur nga presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, dhe kryetari i Bashkisë, Armando Subashi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›