Shqipëria mund minimalisht Uzbekistanin

Loja e shpejtë nga të dy krahët me Muzakën dhe Agollin i ka dhënë më shumë efikasitet sulmit Salihi-Bogani.
Ishte minuta e 14-të kur një krosim nga krahu i majtë i Agollit finalizohet nga sulmuesi i Rapidit të Vienës Hamdi Salihi, i cili regjistron kështu ndeshjen e tretë radhazi që shënon për përfaqësuesen.
Edhe pas këtij goli ishte skuadra jonë ajo që dominoi lojën e i imponoi kundërshtarit një lojë në mbrojtje dhe të corientuar.
Rastet e shumta të Bogdanit e Salihit deri në fundin e pjesës së parë, duke e kthyer në hero portierin uzbek.
Edhe pjesa e dytë vazhdoi me të njëjtin ritëm, e me dominimin e Shqipërisë edhe pse trajneri Kuzhe vendosi të aktivizojë të gjithë lojtarët e grumbulluar për këtë ndeshje, zëvendësime që rezultuan të suksesshme vetëm në mbajtjen e ritmit të lojës, pasi rezultati mbeti i pandryshuar 1-0.
Kjo është ndeshja e 9-të radhazi që kombëtarja jonë nuk pëson humbje, e fundit është miqësorja me Poloninë në vitin 2008, statistikë kjo që e klasifikon trajnerin kroat ndër më të suksesshmit në krye të pankinës sonë.
Nuk mund të mbetet pa përmendur fakti që ndeshja miqësore me Uzbekistanin u zhvillua për herë të parë në stadiumin e Durrësit “Niko Dovana”, i cili ka inauguruar dhe impiantin e ri të ndricimit.