E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahmir Hyka refuzon Panionios, helenët kërkojnë edhe Vangjelin

Merkato Mesfushori i Mainc nuk ka pranuar ofertën e ulët financiare të klubit nga Athina

Jahmir Hyka ka refuzuar transferimin e mundshëm te Panionios në kampionatin grek. Mesfushori i Kombëtares shqiptare do të largohet nga gjermanët e Mainc në këtë merkato vere dhe vazhdon të kërkojë një skuadër të re për të vazhduar karrierën. Klubi helen, ku punon si menaxher ish-kapiteni i Shqipërisë, Foto Strakosha (i cili ka edhe rolin e trajnerit të portierëve), kishte shfaqur interes të fortë për shërbimet e 22-vjeçarit, por oferta e ulët financiare ka bërë që Hyka të kthejë përgjigje negative. Lojtari shpreson se menjëherë pas aktivizimit në miqësoren e sotme kundër Uzbekistanit, do të ketë oferta më të rëndësishme nga klube të tjera.

Ndërkohë, mësohet se Panionios është hedhur në sulm edhe për mbrojtësin e krahut, Kristi Vangjeli. Edhe pse mund të luajë pa probleme në të majtë ose në të djathtë, 24-vjeçari kuqezi nuk është në preferencat e trajnerit të Arisit, Hektor Raul Kuper. Korçari këmbëngul se do të qëndrojë në skuadrën selanikase për të rifituar vendin e titullarit, por burime jozyrtare kanë bërë të ditur se me 99 për qind Vangjeli mund të luajë të Panionios në sezonin e ri. Aktualisht në këtë skuadër luan edhe sulmuesi i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Vasil Shkurtaj. Pasi u largua nga Olimpiakosi, 18-vjeçari ishte fare pranë firmës me Lacion në Serinë A, por fakti që ai është ekstrakomunitar e ka penguar transferimin në Itali. Gjithsesi, Shkurtaj gjeti “strehë” te Panionios, një skuadër që i ka garantuar kontratë si lojtar profesionist dhe hapësira aktivizimi. Futbollistë të tjerë shqiptarë që kanë luajtur më parë me ngjyrat e klubit nga Athina kanë qenë Sulejman Demollari (1994-1996), Foto Strakosha (1997-1999), Arjan Bellaj (2002-2003) dhe Hamdi Salihi (2004-2005).

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›