E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në NATO, sot e nesër Tirana në festë

Bashkia e Tiranës, Ministria e Integrimit dhe Forcat e Armatosura dhe Ministria e Kulturës kanë organizuar aktivitete të cilat do të zhvillohen gjatë 48 orëve. Policia bllokon trafikun, sot 5 orë koncert e karaoke. UB40 nesër në Tiranë 

TIRANE- Bashkia e Tiranës organizon sot një koncert festiv në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të festuar anëtarësimin në NATO. “Një vend, një popull, një ëndërr”, është kjo motoja e festimeve të sotme, të organizuara nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës.

Një koncert madhështor do të zhvillohet sot pasdite për rreth 5 orë, ku këngëtarë të njohur të rrymave të ndryshme muzikore do të performojnë, të shoqëruar nga grupe të baletit modern. Stine, ‘Produkt 28’, Mariza Ikonomi, Julka, ‘Ëest Side Family’ e shumë artistë të tjerë, do këndojnë në këtë ditë feste për të gjithë Shqipërinë.

Pranë Galerisë së Arteve, fëmijët do të gjejnë një skenë të ndërtuar vetëm për ta. Ndërsa, të apasionuarit pas karaokes do të jenë të ftuar në fillim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pranë Parkut “Rinia”, nga ora 18:00 e në vazhdim, ku do të bëhet skena zbuluese e “talenteve të reja”. Sipas Bashkisë së Tiranës, të tjera surpriza do të ketë në festën e sotme. Bulevardi do të bllokohet për të mos lejuar qarkullimin e automjeteve, nga ora 12:00 e në vazhdim.

Gjatë gjithë ditës së sotme do të organizohen aktivitete edhe nga Ministria e Integrimit dhe Forcat e Armatosura. Ndërsa zv/kryeministri Genc Pollo do të marrë në dorë organizimin e një pritjeje për personalitete të diplomacisë dhe politikanë, në vilën nr.31.

Një ditë më pas, pra nesër, kur kthehen nga Strasburgu edhe krerët e shtetit, Ministria e Kulturës ka lajmëruar zhvillimin e një koncerti festiv me pjesëmarrjen e grupit të njohur të muzikës pop, “UB 40”. Fillimisht, delegacioni zyrtar qeveritar do të ketë një pritje madhështore në aeroportin “Nënë Tereza”. Më pas, do të zhvillohet një mbledhje qeverie, ku kryeministri do të informojë kabinetin e tij për samitin e NATO-s. Dhe, rreth orës 19:00 e gjithë qeveria do të jetë në sheshin “Skënderbej”, ku do të zhvillohet koncert i madh festiv me rastin e anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë në NATO.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›