Shqipëria në kërkim të golaveNga katër sulmuesit që ka thirrur Han për ndeshjen e pestë zyrtare të Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit “Afrika e Jugut 2010”: Erjon Bogdani, Besart Berisha, Hamdi Salihi e Xhevair Sukaj, tre të parët kanë re

Golin e fundit në një ndeshje zyrtare të Shqipërisë e ka shënuar mbrojtësi Armend Dallku në fitoren 3-0 kundër Maltës (i pari i tij me fanellën kuqezi), ndërsa në një ndeshje miqësore e ka realizuar mesfushori i avancuar Ervin Skela në barazimin 1-1 kundër Azerbajxhanit në Baku (goli i dhjetë i fantazistit me Kombëtaren).
Të dy lojtarët, i pari nga Kosova (por dhe me pasaportë shqiptare) dhe i dyti nga Shqipëria (por dhe me pasaportë italiane), do të jenë pjesë e formacionit shartues kundër Maltës, në rikthimin pas nëntë vjetësh të Shqipërisë në “ishullin e bekuar”, ku ka fituar në vitin 2000 trofeun ndërkombëtar “Kupa Rothmans”.
Ervin Skela, atëherë në radhët e amatorëve të Cheminzit në Gjermani, i ka të gjalla emocionet e përjetuara në ngritjen e kupës malteze, një emocion që e kishte shijuar 54 vjet më parë, Pal Mirashi, autori i të parit gol ndërkombëtar të Shqipërisë në Kampionatin Ballkanik, që përkoi me fitimin e turneut dhe me një foto të paharrueshme të legjendës Loro Boriçi, me trofeun dhe një kurorë dafine në kokë.
Në fakt, Malta, ka qenë porta që Shqipëria ka “shpuar” më shumë se ndaj ndonjë kundërshtari tjetër. Boll të kujtojmë se në tri ndeshjet e fundit me të njëjtin rezultat të thellë: 3-0, në dy miqësore ashtu si dhe në të vetmin takim zyrtar të luajtur.
Kombëtarja e drejtuar nga Medin Zhega fitoi 3-0, më 15 nëntor 2000 (Rudi Vata, Bogdani, 2 gola). Seleksioni i udhëhequr nga kroati Oto Bariç, më 22 gusht 2007, po 3-0 (Salihi, Berisha, K Duro). Dhe përfaqësuesja drejtuar nga holandezi Ari Han, më 10 shtator 2008 (takim zyrtar) përsëriti të njëjtin rezultat: 3-0, (Bogdani, K.Duro, Dallku).
Nga katër sulmuesit që ka thirrur Han për ndeshjen e pestë zyrtare të Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit “Afrika e Jugut 2010”: Erjon Bogdani, Besart Berisha, Hamdi Salihi e Xhevair Sukaj, tre të parët kanë realizuar më parë në portën malteze.
Madje, Erjon Bogdani, i cili me pesë golat e tij në kualifikueset e Botëroreve është dhe kryegolashënuesi shqiptar në këtë kompeticion (në eliminatoret e Europianëvë më i miri është Edmond Kapllani, po me pesë gola), ka shënuar tre herë kundër Maltës.
Gjithsesi, pas 180 minutave pa gol në dy ndeshjet e fundit kundër Hungarisë (humbëm 2-0 në Budapest) dhe barazimit historik në Braga me Portugalinë, Malta ofron mundësinë më të mirë për të rigjetur kënaqësinë e golit.
Erjon Bogdani (48 ndeshje, 9 gola), Besart Berisha (12 ndeshje, 2 gola), Hamdi Salihi (10 ndeshje, 1 gol) apo dhe Xhevair Sukaj (1 ndeshje, 0 gola) duhet të jenë të vetëdijshëm se të gjithë presin prej tyre golat që do t’i jepnin Shqipërisë fitoren e dytë në pesë ndeshjet e para, por dhe kryesimin e përkohshëm të grupit.
E Marte, 10 Shkurt 2009