Tirana, Toni Pezo, tifoz me Liverpulin

BLEDAR KUKA - Ka lënë përshtypje shumë të mirë kudo ku ka luajtur, si tek Hajduku, Zrinjski dhe Tirana. Në Bosnjë-Hercegovinë, mediat i jepnin vetëm lavdërime, ndërsa e quanin “një freski për kampionatin tonë”, ndërsa tek Hajduku luajti 3 ndeshje fillimisht nën dretimin e ish-trajnerit të Dinamos së Tiranës, Luka Bonaçiç. Pastaj erdhi “shtegtimi” si shumë lojtarë të rinj nga Spliti. Sipas gazetarit Drazhan Mihiç, në “nogomet.com”, Pezo pëlqen lojën e “pikados”, ndërsa është tifoz natyrisht me Hajdukun e qytetit të tij. Por jo vetëm kaq, kroatit 21-vjeçar i rreh zemra edhe për ekipin e shquar anglez të Liverpulit. Duke pasur parasysh moshën, është krejt e mundshme që Pezo të jetë bërë tifoz me ekipin e “Anfilldit” në vitin 2001 kur “të kuqtë” fituan Kupën UEFA, Kupën e Anglisë, Kupën e Ligës, Superkupën e Anglisë dhe Superkupën e Europës. Heroi i parë i atij brezi ishte Majkëll Ouen, por në ekip kishte nisur të shkëlqente edhe kapiteni i sotëm, Stiven Xherrard.
E Marte, 10 Shkurt 2009