Shqipëria nis me fitore në Nations League, 2-0 ndaj Bjellorusisë

Shqipëria e ka nisur me fitore aventurën në Nations League, duke mposhtur 2-0 Bjellorusinë në “Air Albania” dhe duke ndërprerë serinë e pesë humbjeve radhazi.
Ky ishte suksesi i parë i Rolando Maran në pankinën kuqezi në një ndeshje zyrtare me rëndësi.
20 minutat e para nuk ishin aspak të qeta për Shqipërinë. Kuqezinjtë shfaqën pasiguri, sidomos në mbrojtje, duke i dhënë Bjellorusisë mundësi të rrezikshme. Fillimisht ishte Malashevich që provoi menjëherë pas nisjes së takimit, ndërsa në minutën e 8-të Barkovsky u shfaq rrezikshëm, me Berishën që reagoi mirë dhe justifikoi rikthimin në Kombëtare.
Skuadra e drejtuar nga Goncharenko ishte më e qartë në minutat e para, ndërsa Shqipëria e kishte të vështirë të gjente ritmin, me Muçin dhe Seferin që nuk po arrinin të shfaqnin potencialin e tyre. Pilo ishte ndër të paktët që merrte iniciativa në sulm.
Në minutën e 33-të erdhi momenti që ndryshoi ndeshjen. Gjimshiti fitoi një penallti dhe Asllani e ekzekutoi me qetësi, duke kaluar Shqipërinë në avantazh.
Pas golit, kuqezinjtë morën kontrollin e lojës dhe nisën të kërkonin edhe golin e dytë. Manaj pati një mundësi të mirë, por nuk arriti të shënonte.
Sponsorizuar
Goli i dytë erdhi në fundin e pjesës së parë. Muçi përfitoi nga një asist i Hysajt dhe me një goditje të saktë la të shtangur portierin bjellorus, duke dyfishuar avantazhin e Shqipërisë.
Në pjesën e dytë kuqezinjtë u shfaqën më të stabilizuar, duke administruar avantazhin dhe kontrolluar ritmin e lojës. Seferi pati një mundësi të artë për të shënuar golin e tretë, por nuk arriti ta mposhtë portierin.
Aktivizimi i Uzunit dhe kombinimet me Muçin i dhanë më shumë rrezikshmëri sulmit shqiptar, ndërsa Muçi pati mundësi të shënonte edhe golin e dytë personal.
Në fund, Shqipëria ruajti avantazhin 2-0 dhe mori tri pikët e para në grup, ndërsa trajneri i Bjellorusisë, Goncharenko, pësoi humbjen e parë me skuadrën e tij.
Me këtë fitore, kuqezinjtë nisin ndjekjen e Finlandës për kreun e Grupit 1 në Ligën C të Nations League.