“Timak”, para nga buxheti i shtetit, lëshon faturën dhe pastaj kryen procedurën

Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, ka denoncuar një rast që ngre pikëpyetje mbi mënyrën e procedurës së prokurimit dhe pagesës për kompaninë “TIMAK Defence”, partnere e KAYO-s.
Vangjeli deklaron se në dokumentet që ajo ka bërë publike, fatura e kompanisë është lëshuar përpara urdhrit për zhvillimin e procedurës dhe përpara lidhjes së kontratës.
Sipas kronologjisë së paraqitur prej saj, më 8 korrik 2026 “TIMAK Defence” ka lëshuar faturën nr. 83/2026. Më 22 korrik është nxjerrë urdhri nr. 3419/6 për zhvillimin e procedurës, ndërsa më 6 gusht është lidhur kontrata nr. 3419/8.
Më 18 gusht 2026, sipas Vangjelit, Thesari ka kryer një pagesë prej 8.641.296 lekësh për “TIMAK Defence”, si parapagim për blerjen e automjeteve për IKMT. Në dokumentet e pagesës, sipas saj, është përdorur si referencë edhe VKM nr. 638, datë 5 nëntor 2025.
“Pra, fatura është lëshuar 14 ditë përpara urdhrit të procedurës dhe 29 ditë përpara kontratës!”, deklaron Vangjeli.
Ajo ngre pyetje se si mund të jetë lëshuar një faturë përpara se të urdhërohej procedura dhe përpara se të ekzistonte kontrata.
Sponsorizuar
“Si mund të faturohet një kontratë përpara se të urdhërohet procedura dhe përpara se të ekzistojë kontrata?”, shprehet Vangjeli, ndërsa pyet nëse VKM-ja është përdorur si bazë ligjore për kalimin e fondeve publike te një kompani e lidhur me KAYO-n.
Sipas saj, rendi normal duhet të jetë “procedura → kontrata → fatura → pagesa”, ndërsa në rastin që ajo denoncon dokumentet paraqiten në rendin “fatura → procedura → kontrata → pagesa”.
“Kush e kishte sigurinë se kontrata do të lidhej, kur fatura ishte lëshuar ende pa dalë urdhri për procedurën?”, pyet zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD.
Vangjeli i kërkon Ministrisë së Brendshme të japë shpjegime për kronologjinë e dokumenteve dhe pagesën e kryer nga Thesari.
“Faturat nuk mund të paraprijnë procedurat. Kontratat nuk mund të justifikojnë retroaktivisht faturat. Paratë publike nuk mund të shpërndahen pa transparencë. Dokumentet janë aty. Tani presim përgjigjet”, deklaron ajo.a.b