Shqipëria një ndër vendet me konsumin më të ulët të energjisë elektrike, shkaku kosto e jetesës

Shqipëria rezulton ndër vendet me konsumin më të ulët të energjisë elektrike dhe energjisë së përdorur në familje për banor në Europë, sipas të dhënave më të fundit të Eurostat për vitin 2024. Konsumi familjar në vend mbetet ndjeshëm nën mesataren e Bashkimit Europian, duke e renditur Shqipërinë në fund të klasifikimit europian. Sipas të dhënave, Shqipëria lë pas vetëm Maltën për sa i përket konsumit familjar të energjisë për banor. Ky nivel i ulët nuk lidhet domosdoshmërisht vetëm me eficiencën energjetike, por edhe me mënyrën se si familjet shqiptare sigurojnë ngrohjen gjatë muajve të dimrit dhe me mundësitë ekonomike për të përdorur energjinë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në një pjesë të konsiderueshme të vendit vijon të përdoren drutë, qymyri dhe materiale të tjera të ngurta për ngrohjen e banesave. Në qarqe të tjera, familjet mbështeten kryesisht te energjia elektrike, veçanërisht për pajisjet e ngrohjes. Në vendet e Bashkimit Europian, pjesa më e madhe e energjisë së konsumuar nga familjet përdoret për ngrohjen e banesave. Pjesa tjetër shkon për ngrohjen e ujit, gatimin, ndriçimin dhe funksionimin e pajisjeve elektroshtëpiake.
Ndërkohë, Shqipëria përballet ende me mungesën e një infrastrukture të zhvilluar të gazifikimit. Për këtë arsye, familjet kanë më pak alternativa për ngrohje dhe një pjesë e tyre vazhdon të përdorë lëndë djegëse të ngurta, ndërsa të tjera kufizojnë përdorimin e energjisë për shkak të kostos. Një tjetër problem mbetet fakti se një pjesë e familjeve shqiptare nuk arrijnë të sigurojnë ngrohje të mjaftueshme gjatë dimrit. Kjo tregon se konsumi i ulët i energjisë nuk duhet parë vetëm si tregues pozitiv i kursimit, por edhe në lidhje me kushtet e banimit, të ardhurat e familjeve dhe aksesin në burime të ndryshme energjie.
Në këtë kontekst, të dhënat e Eurostat pasqyrojnë një diferencë të ndjeshme mes Shqipërisë dhe vendeve të BE-së sa i përket konsumit energjetik familjar, ndërsa mënyra e ngrohjes dhe niveli i të ardhurave mbeten faktorë të rëndësishëm për të kuptuar këtë renditje.