E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, një zbulim për zërat lirikë

Për të muzika është vlerë, mbart me vete gëzimin, lumturinë, dashurinë, paqen, bën bashkë njerëzit... e është më shumë akoma, është një gjuhë, e cila nuk ka nevojë për përkthim; ajo ndihet dhe kaq. Ai ka lindur në vendin e "bel canto"-s, e madje edhe e ka ushtruar për një kohë, deri në ditën kur kuptoi se si artist i ri rruga për të ecur para nuk është edhe kaq e thjeshtë. Franco Silvestri kuptoi se si ai mund të kishte edhe të tjerë në nevojë. Hoqi dorë nga skena për të ndjekur një tjetër rrugë, atë të menaxherit të zërave lirikë, të talenteve të reja në kërkim të suksesit ndërkombëtar. Dhe shëtiti shumë, nga Kina në Londër, nga Vjena në Nju Jork, nga Japonia në Australi e tani po hulumton të rinjtë e Europës Lindore. Thotë se në një kohë kur Europa Perëndimore po humbet disa vlera, por edhe zëra të rëndësishëm në fushën operistike, në Lindje gjen ende talente që duan të punojnë e të studiojnë akoma shumë. Shqipëria është një rast, ndaj edhe Silvestri synon bashkëpunim të mëtejshëm. Teatrin e Operës së Tiranës e vlerëson si një shkollë të fortë, e cila ka nevojë për një dorë për t‘u prezantuar në mënyrë prestigjioze në arenën ndërkombëtare. Dhe ai, një njeri që i di sekretet dhe të fshehtat e këtij lëmi, ka besim se TOB-i do t‘ia dalë mbanë.

Prej thuajse 20 vitesh ju punoni si menaxher i zërave lirikë në shumë vende të botës. Si është e organizuar puna juaj?

E vërtetë. U bënë 20 vjet që veproj në tregun ndërkombëtar të muzikës klasike, duke prekur nga afër teatrot kryesorë të botës, duke nisur nga ato italiane për të vazhduar më pas me ato të Vjenës, Parisit, Londrës, Nju Jorkut, Japonisë etj. Në këto vite kemi parë një ndryshim të madh, si në mënyrën e të punuarit nëpër teatro, ashtu edhe në mënyrën e të punuarit të artistëve, si në rritjen e tyre si personalitete, ashtu edhe në cilësi. Krahas yjeve ndërkombëtarë, detyra jonë është ajo e identifikimit të artistëve të rinj premtues, të cilët mund të hyjnë në tregun ndërkombëtar të muzikës klasike dhe të bëhen ata yjet e së ardhmes. Kjo është detyra e një menaxheri.

Pas përvojës së përftuar e pas gjithë atyre që keni parë e prekur në operë, si e shihni sot tregun ndërkombëtar të muzikës klasike?

Duhet thënë se prej disa kohësh tregu perëndimor nuk ka pasur më zhvillim, nuk ka evoluar. Deri para pak viteve shumë besonin se të bëje këngëtarin lirik ishte edhe mënyra më e shpejtë për të fituar para, por nuk është kështu. Për të bërë këngëtarin lirik në mënyrë serioze nevojitet shumë punë, studim dhe duhet jetuar një jetë prej atleti, sportisti, por si një sportist profesionist. Unë nuk e di nëse e keni ndjekur Kampionatin Botëror të Notit këto ditë në Romë. Për mua këngëtari i vërtetë është ai që ka mënyrën e të arsyetuarit si të Federica Pellegrinit. Ajo është nga ato profesioniste që kur hyn në pishinë rri atje tetë orë, në mënyrë që të perfeksionojë veten. Por sot një këngëtar kur kupton se ka ato katër notat, mendon se ia ka dalë mbanë, se është gati për teatrot e mëdhenj, për një karrierë të suksesshme për të arritur majat, por shumë herë gjen gjatë rrugës ndonjë menaxher të paskrupullt që e gënjen se mund të bëjë këtë karrierë në mënyrë shumë të kollajtë në një kohë që nuk është aspak ashtu. Kjo ka bërë që tregu ndërkombëtar të varfërohet dhe të vazhdojë të varfërohet nga zërat e rëndësishëm. Por ka ndodhur diçka tjetër, po rritet tregu i vendeve të Lindjes, të asaj që një herë e një kohë ishte Europa e përtej oborrit, nëse do ta quajmë kështu, sepse në Europën e përtej oborrit, në disa raste kanë mbetur struktura të shëndetshme, siç janë teatrot kombëtarë të operës. Ata kanë mbledhur pranë vetes këta zëra dhe i kanë rritur.

A ishte kjo një arsye për të cilën ju i kthyet sytë nga Shqipëria?

Po. Kur unë kontaktova me Teatrin e Operës së Tiranës, u habita dhe u kënaqa në të njëjtën kohë nga fakti që një vend i vogël si i juaji, ia ka dalë mbanë të ruajë një dashuri për artin dhe një nivel rritjeje artistike kaq të rëndësishme dhe kjo jo vetëm sa u përket këngëtarëve, por edhe sa u përket instrumentistëve. Me sa kam parë unë, pjesët e para të instrumenteve me harqe në të gjitha orkestrat e botës janë shqiptarë. Në teatrin Scala në Itali, Metropolitan në Nju Jork, në Vjenë etj., ata janë shqiptarë. Kjo do të thotë se ka pasur një shkollë të rëndësishme në vendin tuaj dhe kur ka një shkollë të tillë, ja se cilat janë rezultatet.

I njihni ju këngëtarët operistikë shqiptarë që kanë bërë zë në botë?

Ju keni këngëtarë që po ju nderojnë në të gjithë botën, emra të njohur tashmë si Inva Mula, Ermonela Jaho, Gëzim Myshketa etj. Ata kanë hyrë në panoramën ndërkombëtare tashmë. Por edhe këtu në Shqipëri ka disa artistë që në vitet e ardhshme, por jo të largët, do të mund të hyjnë në merkaton e madhe si tenori Armaldo Kllogjeri, apo sopranoja Eva Golemi. Megjithatë kur kam rastin të dëgjoj këta artistë, them se është e nevojshme që ata ta thellojnë më shumë repertorin italian, duke mësuar edhe sekretet e fjalës italiane, sidomos kur ata këndojnë Puçinin, ose të tjera vepra të 1900-ës. Ka fjalë të një gjuhe antike, ose të rralla, që kanë një domethënie të thellë. Për t‘i interpretuar mirë këngëtari duhet ta njohë patjetër kuptimin e tyre. Sot nëse një këngëtar e bën të kuptueshme faktin që e di mirë se çfarë po këndon, publiku e kupton menjëherë. E nëse e arrin këtë, ai nuk është më vetëm një njeri që përcjell disa nota, por mbi të gjitha përçon emocione te publiku. Ja pse është e rëndësishme të dish të thuash. Për këtë ngulmonin maestrot e mëdhenj të dikurshëm. Armaldo, tenori që vjen do të këndojë "Rigoleton" në Gjenovë. Ja ku u hap një portë. Ai tregoi se ka një inteligjencë në të kënduar. Kjo është e nevojshme për një këngëtar. Artisti së bashku me talentin dhe studimin duhet të përftojë me inteligjencë edhe shqiptimin e fjalëve.

A kanë mundësi artistët e rinj shqiptarë të bëhen pjesë e tregut ndërkombëtar të muzikës klasike, në një kohë që për të qenë të vërtetë nuk është e lehtë.

Unë them se falë kësaj shkolle të rëndësishme, këtij momenti rritjeje në të cilin është Teatri i Operës së Tiranës, këta të rinj do të kenë mundësi të hyjnë në tregun ndërkombëtar. E veç kësaj strukture e ndihmës konkrete, është thelbësore edhe studimi i përditshëm. Falë dashurisë para së gjithash, ky teatër mund ta gjejë vendin në botën e lirikës, jo vetëm shqiptare, por edhe ndërkombëtare.

Kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri dhe cili është mendimi juaj për vendin tonë?

Për herë të parë kam ardhur kur së bashku me Zhani Cikon menduam të sillnim Massimo Ranierin të bënte "Traviatën" në Shqipëri, duke qenë se unë jam menaxheri i këtij artisti. Pas kësaj menduam që ky bashkëpunim të vazhdonte. Kur erdha tani, i thashë një mikut tim, që për herë të parë kur kam zbritur në aeroportin e Tiranës e kam gjetur si një fushë me patate, ndërsa për dy-tre vite ka ndryshuar krejtësisht. "Shiko se si vrapon ky vend", iu drejtova mikut tim. Shpresoj që t‘i jap mundësi edhe operës të vrapojë në të njëjtën mënyrë, si edhe vendi juaj të mos e harrojë bagazhin e vet kulturor, sepse ta harrosh atë do të thotë të flakësh tutje vite të tëra pune.

Përveçse dërgoni artistë shqiptarë të shijojnë skena të huaja, ju sillni edhe artistë të huaj të provojnë skenën shqiptare të operës. Si reagojnë ata ndaj saj?

Burrat reagojnë shumë herë më mirë. Ata kanë qenë të gjithë shumë të kënaqur për ardhjen në Shqipëri, edhe pse teatri i Shqipërisë nuk është vendi ku një artist fiton maksimumin. Ata shijojnë kënaqësinë e mikpritjes së popullit shqiptar, krijojnë një shoqëri miqsh, me të cilët të punojnë. Sigurisht edhe për gratë është kënaqësi, por ato kanë ndonjë kërkesë më shumë, ndihen paksa ‘prime done‘, duan të jenë një shkallë më shumë se kolegia në krah... Kushedi përse mes grave ka pak më shumë rivalitet sesa mes burrave. Megjithatë, artistët që kam sjellë janë ndier mirë në Tiranë, ndonjë edhe dëshiron të kthehet shpejt.

Si është të punosh mes artistëve?

Është shumë e vështirë të punosh me artistë, sepse të merresh me ta duhet ta shikosh këtë zanat paksa si familje. Ti nuk mund të marrësh një artist e ta përdorësh si një palë këpucë. Nuk mund të bëhet kështu. Kur flitet për artistë flitet për qenie njerëzore që kanë një ndjeshmëri të madhe, por që si të gjithë burrat dhe gratë kanë të mirat dhe defektet e tyre, kanë momentet e lumtura e të trishtuara; ka nga ata që shikojnë përpara dhe nga ata që nuk shikojnë dot përtej hundës së tyre. Është pra si një familje, ku bijtë janë të ndryshëm dhe ku aftësia e atit është të kuptojë psikologjinë e fëmijës për të gjetur mënyrën e duhur për të edukuar secilin prej tyre.

Edhe ju jeni një këngëtar lirik, që në fakt keni hequr dorë nga skena në një farë mënyre. Përse kjo zgjedhje?

Ju thashë më parë se për të qenë një artist i mirë dhe i suksesshëm duhet të jesh si sportistët. Unë jam krejt e kundërta. Jam i paqëndrueshëm, më pëlqen të pi duhan, të ushqehem mirë, të rri vonë natën, të fle deri vonë në mëngjes; jam një njeri që më pëlqen të shijoj kënaqësitë e jetës me pak fjalë, pa hequr dorë nga asgjë. Dhe kjo mënyrë të qeni kaq "i çmendur" nuk më lejonte të bëhesha këngëtar në mënyrë serioze, edhe pse për pak kohë e kam bërë dhe me shumë kënaqësi madje. Kam kënduar në Venecia, në teatro jashtë Italisë, por ndodhi që një ditë i thashë vetes: "Përse duhet të studioj çdo ditë" dhe kështu nisi kjo punë e re, me të cilën u bënë 20 vite që merrem.

Si e mendoni të ardhmen e Teatrit të Operës së Tiranës?

Shpresoj që Teatri i Operës së Tiranës të futet në brendësinë e rrethit të teatrove ndërkombëtare. Por këtë mund ta arrijë vetëm me ndihmë konkrete e nëse investohet seriozisht. Teatri i Tiranës duhet të ketë edhe mbështetjen jo vetëm morale, por edhe fizike, në para nga ana e qeverisë. Dhe në këtë, Shqipëria është me fat sepse ju keni vetëm një teatër të cilit mund t‘i kushtoheni, në Itali ne kemi më shumë se 30. Është e nevojshme të keni një teatër prestigjioz.

E së fundi z. Silvestri, cilat janë planet e afërta apo bashkëpunimet me TOB?

Kjo marrëdhënie që kemi nisur me Armaldon shpresojmë të vazhdojë gjatë dhe që ai të rritet edhe më shumë dhe të bëhet Jose Carreras-i ri. Sepse zëri i tij ta kujton shumë atë të tenorit spanjoll. Do të donim që vitin e ardhshëm të kishim një bashkëpunim ndërkombëtar mes Italisë dhe Shqipërisë, mes orkestrave, korit, këngëtarëve për të treguar se mund t‘ia dalim mbanë në nivel ndërkombëtar. Në cilësi, Teatri i Operës së Tiranës nuk ka pse të ketë zili as orkestrat më të mëdha italiane dhe në këtë besoj shumë. Besoj shumë se e ardhmja e operës do të jetë në vendet e Europës Lindore, të cilat janë duke rilindur dhe kjo është e rëndësishme. Shpresoj ta sjell shpejt lajmin pozitiv për këtë bashkëpunim, si dhe mundësinë për të hyrë në sistemin e teatrove ndërkombëtare. Për këtë ka nevojë teatri i Tiranës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›