E Shtunë, 31 Tetor 2026

Norvegjia nderon Knut Hamsun

Ndodh që prej vitesh përvjetori i tij i lindjes kthehet në një arenë debatesh në Norvegji. Qysh kur ai, shkrimtari novelist Knut Hamsun, doli hapur në përkrahje të nazizmit dhe Hitlerit, debatet nuk kanë të sosur. Por këtë vit duket se është vendosur ndryshe. Më 4 gusht, në 150-vjetorin e lindjes së nobelistit Hamsun, Norvegjia ka vendosur ta përkujtojë me një pullë postare dhe një muze në fshatin e lindjes. Muzeu Hamsun u hap në Hamaroey, fshati i fëmijërisë së autorit, gjatë bregdetit norvegjez. I njohur për romanin e tij "Uria" në vitin 1920, Hamsun fitoi çmimin "Nobel" për romanin "Rritje e Dheut". Para Luftës së Dytë Botërore, Hamsun nderohej si hero në Norvegji, por në kohën e luftës, ai kaloi në anën e Hitlerit dhe propaganda naziste e përdori shkrimtarin dhe famën e tij për të bërë të pranueshme politikat e veta. Madje Hitleri e ftoi atë në Berlin. Takim u shfrytëzua nga propaganda për t‘u bërë thirrje norvegjezëve që të mos luftonin kundër nazizmit dhe qeverisë norvegjeze të Kryeministrit Vidkun Quisling, i vendosur në pushtet nga nazistët. Nga ana e tij, Knut Hamsun e shikonte Hitlerin e nazizmin si shpëtim të Norvegjisë nga ndikimi i mundshëm komunist sovjetik. Më 1945, kur u njoftua se Hitleri kishte vrarë veten, Hamsun shkroi rreth tij një artikull të mbushur me lëvdata. Pas luftës, shkrimtari norvegjez u dënua financiarisht dhe disa prona të tij u sekuestruan. Hamsun vdiq në vitin 1952, në moshën 92-vjeçare.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›