Shqipëria përfaqësohet me Nënë Terezën
Monodrama “Pikëllim dhe Dashuri” do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës “Mono Akt”, që zhvillohet më 18-22 prill në Pejë. Përzgjedhja e monodramës “Pikëllim dhe Dashuri” është bërë nga përfaqësuesja e Gjermanisë dhe Ukrainës, ndërkohë që një juri ndërkombëtare do të japë dhe çmimet për natën finale. Monodrama është një rrëfim për rininë e Nënë Terezës, që vjen nën interpretimin e aktores Klodiana Kadillari. Ka qenë pikërisht regjisori i njohur kosovar Fahri Hysaj (i cili u nda nga jeta pak kohë më parë), që përzgjodhi aktoren shqiptare për të sjellë të skalitur figurën e bamirëses shqiptare Nënë Tereza ose Gonxhe Bojaxhiut, në moshën e re 14-18 vjeç. Pikëllimi dhe dashuria kanë qenë pjesë e pandarë e jetës së saj, plot sakrificë për të realizuar amanetin e Nënës së saj Drane Bojaxhiu. Ky amanet nuk u realizua kurrë, sepse regjimi komunist nuk ia lejoi të takonte nënën dhe motrën në Shqipëri. Kjo është edhe dhimbja që qëndron në bërthamë të monodramës, dhimbje dhe dashuri që nuk njeh kufij. “Përmes këtij emocioni do përpiqem që ta paraqes në mënyrën më të sinqertë dhe më të natyrshme monodramën time në Festivalin Ndërkombëtar në Kosove. Shpresoj në këtë mision dhe besoj në vetvete për ta realizuar sa më mirë këtë vepër ashtu sikurse edhe vetë Nënë Terezën. E rëndësishme për mua, dhe që më bën të ndihem e vlerësuar dhe krenare, është që publiku më ka dhënë të besoj, ashtu sikurse edhe i madhi Fahri Hysaj, brenda vetvetes, se unë jam ajo që çdo aktore do e ëndërronte të vishte, të paktën një herë sarin e Nënë Terezës. Unë e vesha, sepse ma besoi regjisori, ma besuan njerëzit e thjeshtë dhe ia besova vetvetes”- shprehet aktorja Klodiana Kadillari.