E Diel, 1 Nëntor 2026

Markelian Kapedani, përfaqësuesi i xhazit ballkanik në “Estival Xhaz 2011”

SHKRUAN: Aida Tuci 12-04-2011 14:36

Asokohe ishte djaloshi me flokët e gjatë, që ngjitej në skenat e festivaleve dhe me muzikën e tij bënte për vete një brez të etur për të dëgjuar tingujt e një muzike që deri në atë moment e kishte dëgjuar fshehurazi. Ishte ai që për herë të parë mbajti në kryeqytetin shqiptarë të parin koncert me muzikë xhaz. Sot është po ai Markelian Kapedani, kompozitori dhe pianisti shqiptar, i cilësuar si një prej përfaqësuesve më sinjifikativë në ripërtëritjen e muzikës së një vendi si Shqipëria, që sapo kishte dalë nga izolimi i gjatë komunist. Markelian Kaledani është përzgjedhur për të qenë pjesë e Festivalit Botëror të Xhazit, që do të zhvillohet në Zvicër. Artisti shqiptar jeton dhe vazhdon krijimtarinë e tij në Itali, ku është vlerësuar për ndërthurjen e ritmeve të muzikës klasike bashkëkohore me nota të xhazit tradicional. Koncerti i tij i parë i xhazit në Shqipëri ka qenë në vitin 1992, asokohe që shumë artistë shqiptar eksperimentonin duke sjellë rryma të reja. Por për Markelian Kapedanin, që formoi karakterin e vet si artist, që në pamje (të gjithë e kujtojnë kompozitorin me flokët e gjatë dhe mjekër), xhaz-i rezultoi se nuk ishte thjesht eksperimentim, por rruga që ai do të ndiqte në karrierën e tij artistike. Pas një sërë pjesëmarrjesh në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare të muzikës xhaz, tashmë Markelian Kapedani do të jetë në mesin e artistëve më të mirë të kësaj rryme nga e gjithë bota në “Estival Xhaz 2011”. “Markelian Kapedani, pianist, kompozitor, është një prej përfaqësuesve më sinjifikativë në ripërtëritjen social-kulturore të Shqipërisë në vitet që pasuan pas rënies së Murit të Berlinit”- kështu thuhet në skedën prezantuese të Markelian Kapedanit. Për festivalin e këtij viti janë përzgjedhur përfaqësuesit më interesantë të viteve të fundit nga vende të ndryshme të botës. Janë 34 artistë që do të sjellin rryma të ndryshme të muzikës xhaz të vendeve që përfaqësojnë, siç është Frank D’Amico dhe Blues Band ku D’Amico është aktiv në skenën e muzikës xhaz që nga vitit 1962, njëkohësisht dhe themelues i grupit Dream Drifters, një grup historik i asaj periudhe. Apo një tjetër përfaqësuese e denjë e muzikës xhaz, siç është Timna Brauer, austriake me origjinë nga Jemeni, një nga zërat më autoritar të skenës etnike ndërkombëtare, e cila vjen në këtë festival e shoqëruar nga Elias Meiri, pianist izraelit, të cilët sjellin muzikën hebraike në të gjitha varietetet. Apo grupi Ratrabra, i cili përbëhet vetëm nga femra, një grup shumë i njohur në skenën ndërkombëtare, që udhëhiqet në trombë nga artistja Hilaria Kramer; për të vazhduar me James Carter, Joshua Redman dhe Brad Mehldau, përfaqësuesit më të denjë të gjeneratës së viteve ’90, për ta mbyllur këtë prezantim të shkurtër me Joe Colombo, një nga të paktët “blusman” që ka arritur të evidentohet në skenën ndërkombëtare falë edhe teknikës së tij “slide”, prej së cilës është konsideruar si një nga eksponentët më të mëdhenj të Europës. Lista e prezantimeve është shumë e gjatë, pasi janë 34 artistë njëri me i famshëm se tjetri. Por sigurisht që kësaj liste nuk mund t’i mungonte as trio More Eksperiencë, e cila që nga vitit 1987 ka zhvilluar një sërë turesh nëpër botë, duke sjellë ritmet e veçanta të muzikës së tyre, duke bashkëpunuar edhe me gjeniun e rrokut, Jimi Hendrix, aq sa në disa prej turneve tij Hendrix prezantohej si Jimi Henrix dhe Eksperiencë, apo me Buddy Miles (Banda e Gypsus), Alvin Lee dhe Stece Lukather me emrin e artit Toto. Ndërsa arti i Markelian Kapedanit përfshin thuajse të gjitha sferat e muzikës, nga klasikja të xhazi, nga folklori ballkanik te muzika eksperimentale, nga muzika e lehtë te krijimet me influenca spanjolle-afrokubane etj. Aktualisht bashkëpunon me muzikantë të kombësive të ndryshme, duke ndjekur idenë se muzika është një ndër shprehjet artistike kufijtë e së cilës përfshijnë të gjithë popujt e botës, pa dallim race apo feje.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›