Një histori tragjike dashurie e vdekjeje, humbjesh e ngritjesh
Libri: Pylli norvegjez
Autori: Haruki Murakami
Gjinia: Roman
Përktheu: Etta Klosi
Shtëpia Botuese: Skanderbeg books
Haruki Murakami është ndër shkrimtarët japonezë më të njohur sot në botë dhe ndër më të rëndësishmit e botës letrare, autor i pothuajse të gjitha çmimeve prestigjioze letrare dhe për disa vite radhazi një ndër pretendentët e çmimit ‘Nobel’ në Letërsi. Kritika e cilëson Murakamin si ndër mjeshtrit e rrëfimit sot, autori që tronditi letërsinë japoneze dhe përshfaqjen e saj në botën letrare përmes të ashtuquajturit “thjeshtësim i realitetit”, për çka në krye të debutimit të tij u keqkuptua nga kritika dhe autorët e tjerë, të cilët sot e kanë idhullin e tyre letrar. Përkundër kanoneve, diskrecionit, tabuve që shpesh e kornizojnë letërsinë japoneze, Haruki Murakami e çliroi prozën e tij, duke e kthyer atë në një ndër më të lexuarat në botë. Kombinimi i stilit të tij autentik, frymës magjike dhe joshëse që ka terreni i tij letrar japonez dhe turbulancës pasionale që shkakton leximi i romaneve të tij, e bëjnë atë autorin me fansat më të shumtë në botë. Romani “Pylli norvegjez” do të ndiqet me botimin së shpejti nga ‘Skanderbeg Books’ të romanit “Kafka në breg”. “Pylli norvegjez”, ky roman i jashtëzakonshëm elegjiak, e ngriti Murakamin në krye të skenës letrare (dhe në listat e autorëve më të shitur në Japoni) dhe tregoi se është mjeshtër i manipulimit të zhanreve letrare, është i zoti të luajë me telat e zemrës, po aq lehtë sa edhe kënga e Bitëllsave “Norwegian Wood.” Toru, një student i urtë dhe i pjekur para kohe, jeton në Tokio dhe i është kushtuar Naokos, një vajze të bukur por tepër melankolike, por ndjenja e tyre e përbashkët ndikohet nga vdekja tragjike e shokut të tyre më të ngushtë para disa vjetësh. Toru fillon të mësohet me jetën e universitetit, me izolimin dhe vetminë që gjen atje, por për Naokon, presionet dhe përgjegjësitë e jetës janë të padurueshme. Teksa ajo tërhiqet gjithnjë e më thellë në botën e saj të brendshme, Toru e gjen veten duke i kërkuar ndihmë njerëzve përreth dhe tërhiqet nga një vajzë e re me një pavarësi të paepur dhe pa paragjykime seksuale. Ky libër është një përzierje madhore e muzikës, emocioneve dhe etosit, me të cilin kanë qenë dominuar vitet gjashtëdhjetë, dhe udhëtimit romantik të një studenti të dashuruar. “Pylli norvegjez” është një histori tragjike dashurie e vdekjeje, humbjesh e ngritjesh dhe përfaqëson hyrjen triumfale të Murakamit në tregun japonez. Në një vend ku me një bestseller nënkuptohet një libër që shitet në mbi 100 mijë kopje, ky libër ka shitur më shumë se katër milionë kopje. Jashtë Japonisë, Murakami ka fituar statusin e shkrimtarit kult, librat e të cilit janë përkthyer në mëse tridhjetë gjuhë të ndryshme.