Shqipëria përmes artit në Romë

Siç raporton “Albanianews”, kjo nismë ka si qëllim promovimin artistiko-kulturor të Shqipërisë përmes realizimit të ekspozitave fotografike, konferencave dhe debateve ku do të jenë të pranishëm si Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi, ashtu edhe kryebashkiaku i Romës, Gianni Alemanno.
Përmes këtyre prezantimeve, do të synohet të jepet një panoramë sa më e gjerë e kulturës shqiptare, duke nisur që nga ndikimet e periudhës së Perandorisë Otomane, vitet e luftës, arti pas Çlirimit e pastaj kufizimet gjatë kohës së diktaturës.
Kjo retrospektivë, gjatë së cilës do të flitet edhe për figura të njohura të kulturës do të vërë përballë edhe tendencat më të fundit të artit bashkëkohor. Çfarë sjellin artistët e rinj? Cilat janë stilet dhe subjektet që ngacmojnë krijimtarinë e tyre? Shqipëria e shpalosur për publikun italian për gati një muaj.