Teatri i Kosovës shkon në Tiranë

Aktivitetet do të nisin në datën 9 shkurt, me një shfaqje të teatrit të Prizrenit, për të vazhduar në datat 11-12 shkurt me shfaqjen e Teatrit Kombëtar të Kosovës, "Nata e dymbëdhjetë" nga William Shakespeare.
Kjo vepër e njohur vjen nën regjinë e Ilir Bokshit dhe përbëhet nga efekte të ndryshme ritmike e muzikore për të cilat Trimor Dhomi i ka përgatitur aktorët që t'i ekzekutojnë aty për aty, përmes tupanëve, tingujve të zërit, këngëve që do të këndohen nga aktorët në skenë. Ngjarja zhvillohet në Iliri, kështu që shfaqja përbëhet nga elementë kombëtarë shqiptarë. Pos ritmeve dhe këngëve shqipe, edhe kostumet përbëhen nga elementët kombëtarë të cilët i ka përgatitur kostumografja Vesa Kraja.
Për skenografinë është përkujdesur Petrit Bakalli. Personazhet vijnë nën interpretimin e Shkëlzen Veselit, Teuta Krasniqit, Driada Matoshit, Eshref Durmishit, Ard Islamit, Ylber Bardhit etj. Kalendari do të vazhdojë në 16-17 shkurt me “Ditari i një gruaje nga Kosova”, shfaqje e kompanisë “Fritland Teatër”, në Belgjikë. Performanca e vënë në skenë nga Zenel Laci, mbështetur në “Ditari i një gruaje nga Kosova” të Sevdije Ahmetit, për krimet në masë dhe shpërdorimet bërë në kohën e luftës, për të lehtësuar memorien e nemitur të njerëzimit.
Është teatër që tregon egërsinë qenësore të botës, përderisa indiferenca e tij mundëson shkatërrimin e një populli. Performanca është një alegori lidhur me dëshirën e sëmurë të spastrimit, e cila pa marrë parasysh epokat dhe vendet, e ndan botën në xhelat dhe viktimë. Një tjetër shfaqje e Teatrit Kombëtar të Kosovës që do të ngjitet në Teatrin Kombëtar në Tiranë në datat 18-19 shkurt është “Lidhje gjaku”.
Regjinë e kësaj shfaqjeje e ka bërë Fadil Hysaj, ndërsa interpreton kasti i aktorëve Irena Cahani, Hazir Myftari, Aurita Agushi, Lumnije Sopi, Bislim Muçaj, Lirak Çelaj dhe Shpëtim Kastrati. Skenografinë e ka realizuar skenografja austriake Sylvia Weber, kostumografinë Vesa Kraja, kurse muzikën e ka kompozuar Valton Beqiri.
“Lidhje gjaku” u vu në skenë në vitin 1980 (ndonëse një version i mëparshëm i dramës, i titulluar “Emrin ma thonë Lisabeth” ishte vënë në skenë më 1976), shënon një zhvendosje të vëmendjes së dramaturgjisë tek individi në kuadrin e familjes dhe lidhjeve shoqërore. Për këtë dramë, kanadezes Sharon Pallokut iu dha Çmimi Letrar i Guvernatorit të Përgjithshëm. Muaji i kulturës do të mbyllet me provat gjenerale të shfaqjes që po përgatit për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë regjisori dhe njëkohësisht drejtori i Teatrit të Komedisë, Kastriot Çipi. Pjesa “Mallkimi i fukarenjve” do të ngjitet premierë më 2 mars.