E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, pjesë e takimit të 25-të të Nismës së Mbikëqyrjes së Sigurimeve në Varshavë

TIRANË, 18 maj/ATSH/ Shqipëria mori pjesë në takimin e 25-të të Nismës së Mbikëqyrjes së Sigurimeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE ISI), i cili u zhvillua në Varshavë (Poloni), me pjesëmarrjen e autoriteteve mbikëqyrëse të rajonit.

Delegacioni i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) përbëhej nga Merita Gurabardhi, Aranit Muja dhe Lusjana Lloji, të cilët morën pjesë në diskutimet mbi çështjet kyçe të mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve dhe pensioneve.

Gjatë takimit u trajtuan tema që lidhen me rrezikun nga katastrofat natyrore dhe ndryshimet klimatike, hendekun e mbrojtjes nga sigurimet, sistemet e pensioneve suplementare, rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në sektorin e sigurimeve, si dhe praktikat e risigurimit.

Sipas AMF-së, pjesëmarrja në këtë forum mbështet procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, veçanërisht në drejtim të përafrimit të mbikëqyrjes së sigurimeve, pensioneve dhe mbrojtjes së konsumatorëve me standardet dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.

Shkëmbimi i përvojave rajonale vlerësohet si një kontribut i rëndësishëm në forcimin e kuadrit të mbikëqyrjes së tregut financiar jobankar dhe në rritjen e qëndrueshmërisë së tregut në Shqipëri.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›