E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka e Shqipërisë licenson bankën turke “Ziraat”, pritet rritje e mbështetjes për sektorin bujqësor

TIRANË, 18 maj /ATSH/ Banka e Shqipërisë ka miratuar dhënien e licensës për ushtrimin e veprimtarisë bankare dhe financiare për degën e bankës turke “Ziraat” në Shqipëri, duke i hapur rrugë hyrjes së një tjetër institucioni financiar me kapital të huaj në tregun bankar shqiptar.

Sipas njoftimit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, vendimi është marrë në mbledhjen e datës 6 maj 2026 të Këshillit Mbikëqyrës, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe aplikimit të paraqitur nga banka turke për pajisjen me licensë.

Më herët, në muajin gusht 2025, Banka e Shqipërisë kishte dhënë miratimin paraprak për licensimin e kësaj banke.

Kjo bankë do të ushtrojë veprimtaritë bankare dhe financiare në përputhje me kushtet dhe kërkesat e licensës së miratuar nga Banka e Shqipërisë.

“Ziraat Bank”, e themeluar në vitin 1863, është një nga bankat më të mëdha tregtare në Republikën e Turqisë dhe operon me licencë të vlefshme bankare nën mbikëqyrjen e Agjencisë së Rregullimit dhe Mbikëqyrjes Bankare të Turqisë. Përveç tregut turk, banka ushtron aktivitet edhe në vende të tjera si Mbretëria e Bashkuar, Bullgaria, Greqia, Kosova dhe Qiproja Veriore.

Me hyrjen e saj, numri i bankave që operojnë në Shqipëri shkon në 12.

Kjo bankë do të jetë banka e dytë me kapital turk në Shqipëri dhe pritet të sjellë një fokus më të madh në financimin e sektorit të bujqësisë, duke qenë se është e specializuar në huadhënien për bizneset që operojnë në këtë fushë.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›