E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla dëshmon për çështjen “Partizani”: Procesi të jetë i drejtë, shpresoj të thirrem edhe për “21 janarin”

TIRANË, 30 prill/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla uroi sot që procesi gjyqësor për dosjen “Partizani” të jetë i drejtë, ndërsa theksoi se shpreson të thirret në cilësinë e dëshmitarit edhe për çështjen e “21 janarit”.

Pas dëshmisë në GJKKO për dosjen “Partizani”, Balla u shpreh për mediet se uron që procesi të jetë i drejtë dhe përgjegjësia penale të shkojë tek të gjithë personat me përgjegjësi.

Lidhur me dosjen “Partizani”, Balla kujtoi se i ka qëndruar deklarimeve që ka bërë në kallëzimin penal të vitit 2020.

“Nuk jam nga ata persona që bëjnë kallëzim penal me emër tjetër. Kam vënë emrin tim në fund të këtij kallëzimi dhe i kam qëndruar përgjatë gjithë deklarimeve të tij kallëzimit penal të bërë në nëntor të vitit 2020. Sot jemi pas 6 vitesh, ka një shprehje të bukur drejtësia vonon por nuk harron. E vërteta është që privatizimi i kompleksit sportiv ‘Partizani’, fusha sportive ‘Godina’, të cilat sot mund të ishin në dobi të djemve dhe vajzave, të rinjve të Tiranës për aktivitete sportive, sot janë 17 kulla të cilat kanë prodhuar pasuri”, tha ai.

Po ashtu, Balla tha se shpreson që të thirret në cilësinë e dëshmitarit edhe për çështjen e 21 janarit.

“Uroj e shpresoj shumë që në ditën vijim, muajt, kurdo që të jetë të jem këtu dhe për një kallëzim tjetër që është kallëzimi për 21 janarin. Shpresoj shumë që edhe për këtë çështje të më jepet mundësia si dëshmitar, sepse kam qenë në protestën e 21 janarit, të jem edhe për këtë çështje i thirrur”, shtoi ai.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›