Shqipëria reale takohet me Shqipërinë Europiane
“Sali, larg duart nga xhepat e shqiptarëve” – “Kavaja i ka bërë dalje Sali Berishës” – “Sali Berisha, rrezik kombëtar”. Parulla politike të shoqëruara nga ato me karakter social dhe ekonomik, janë kthyer në ngjyrë të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, i cili prej dy ditësh është pasuruar me një stacion politik domethënës; çadrat e grevës së urisë së 200 qytetarëve shqiptarë dhe deputetëve të opozitës socialiste. Jo vetëm për qytetarët e Tiranës, por edhe për ata të të gjithë vendit, e ndoshta edhe për monitoruesit ndërkombëtarë të politikës shqiptare ky bulevard është në një farë mënyre enciklopedia e vërtetë e pluralizmit i cili që prej vitit 1990 ka parë si nyje dhe zgjidhje të problemeve të veta pikërisht këtë hapësirë publike që duket sikur e refuzon neutralitetin. Paradoksi e shoqëron historinë e tij që nis me idenë e madhështisë së totalitarizmit për të përftuar mandej vlerën e pakonvertueshme të promovuesit të lirisë. Një simbolikë që u përket të gjithëve dhe në fakt dje ka `qenë radha e socialistëve shqiptarë, aleatëve të tyre dhe të mijëra qytetarëve shqiptarë që të hipin në podium për të kërkuar me forcën e sakrificës sublime të drejtat e mohuara nga ai entitet i kontestuar përherë që quhet pushtet. Kronika e ngjarjeve politike që po zhvillohen së fundmi në rrugën që bashkon sheshin “Skënderbej” me sheshin “Nënë Tereza”, me dëshminë hijerëndë të ndërtesave historike ofron të njëjtën panoramë që mund të ofrojë reagimi qytetar ndaj padrejtësisë, e cila nuk mund të perceptohet por mundet vetëm të ekzistojë. Qytetarë nga të gjitha rrethet, të rinj, të moshuar, personazhe publike dhe kalimtarë kanë qenë pjesë e tubimit të ndalur përballë çadrave të grevistëve dhe parullës që apelon ndryshimin; “Ndal rrënimit ekonomik – Hap kutitë ose largohu”. “Protesta jonë do të përshkallëzohet”, deklaron paradite kryetari i opozitës, Edi Rama, duke nxitur me vete emocionin e protestuesve që në fakt presin shumë nga kjo ngjarje e shumë trumbetuar. Ata janë të organizuar dhe të thirrur këtu nga partia më e madhe e opozitës shqiptare, por brenda reagimit të tyre, pamjes, fjalëve dhe padurimit për të thirrur kundër qeverisë, mund të dallohet fare mirë ajo Shqipëri që fshihet përherë nga kronikat e kryeqytetit dhe skenografia e politikës së konferencave për shtyp. Ajo Shqipëri e cila në bulevardin e vet kryesor ka një mundësi t’i shpëtojë censurës së përditshme të lajmit të mirë; protestuesit tradhtojnë me realitetin e tyre vetjak, social, ekonomik dhe njerëzor iluzionin e emetuar nga ekranet televizive dhe fjalët e shpërndara të raporteve pozitive të Shqipërisë Europiane.
“O Sali o legen, prite Edin se po vjen”, përsëritet një parullë që të bën të kuptosh se emri i Kryeministrit jo vetëm rikujton historinë e ngjarjeve të shumta, por politikisht e ka frenuar reagimin qytetar te vetvetja si armikun e parë dhe të fundit të një socialisti të thjeshtë. Kështu, vetë ngjarja e inskenuar përpara selisë së qeverisë shqiptare, kreu i së cilës është rishpallur si objektiv, e ka parakaluar synimin zyrtar politik të PS; njerëzit kanë zbritur dje në bulevard për të larguar Sali Berishën. Ose të paktën kjo ide është ajo që i motivon më shumë dhe që i jep frymë realisht solidaritetit të krijuar rreth grevës së urisë së nisur nga 22 deputetë dhe rreth 180 qytetarë.
Brenda një proteste vështirë se mund të mbetesh vetëm vëzhgues, pse ritmi dhe intensiteti i saj, oshtima e një turme njerëzish janë përfshirës dhe amplifikues irracionalë të një analize ngjarjesh që rëndom e kryen nga distanca. Pak më tutje selisë operative të opozitës, mes Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë mund të prekësh kufirin e protestës, e cila ndërmjetësohet me pjesën e ish-Bllokut nga një kordon policie. Një kufi i krijuar vetiu edhe për shkak të tubimit të palës tjetër që është zhvendosur në sheshin Nënë Tereza i cili i pret njerëzit të vijnë nga drejtimi i kundërshtarit. Një kufi që është gjallëruar dje nga ky shkëmbim protestuesish dhe festuesish të ballafaquar për pak momente me absurditetin që ofron “teatri i konfrontimit” politik. “Të keni turp ju që doni prapë komunizmin dhe Enver Hoxhën”, u është drejtuar një festues i djathtë i 1 majit protestuesve të majtë. Me një kurajë të papritur, që të bën të kuptosh se ndarja poshtë ruan orën e vet historike ashtu sikurse 20 vjet më parë kur kori kundër diktaturës jo vetëm ishte i sinqertë, por edhe i kuptuar drejt nga të gjithë, ai ka protestuar kundër protestës. Vetëm se në ndryshim nga 1991 mesazhi politik kësaj radhe drejtohet nga partitë të mbërthyera në konflikt, teksa në fillesën e vet, pluralizmi ishte një produkt i pashmangshëm i mesazheve që shoqëria i rregulloi si ligj në konflikt me diktaturën. Hapësira e bulevardit mbetet kështu e njëjta si skenë, e po ashtu edhe disa prej protagonistëve që nëse atëherë morën pjesë në ndryshimin e vërtetë, sot me sa duket vetëm po e pasurojnë atë vetëm me disa ngjarje politike që vështirë se mund të jenë më shumë se kaq.