E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, 60 emërime të reja në Drejtorinë e Përgjithshme

Aparati Qendror është “fryrë” me rreth 200 funksione më shumë

Ndryshime të reja priten në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku do të emërohen rreth 60 veta në funksione të larta. Lëvizjet do të kryhen paralelisht me ndryshimet që priten në strukturat e rendit në qarqe, ndërkohë që shqetësimi vjen, pasi aparati qendror i policisë është fryrë me funksione më shumë sesa ishin parashikuar.

Nga specialistë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit mësohet se këto ditë priten të emërohen shumë oficerë të lartë në këtë detyrë. Sipas të dhënave, emërimet do të bëhen në drejtori dhe sektorë të ndryshme të aparatit qendror dhe përmbajnë grada nga nënkomisar deri në drejtues. Burimet shpjeguan se dhjetë prej funksioneve kanë gradën nënkomisar, ndërsa 15 të tjerë janë funksione që përmbajnë gradën komisar. Pjesa tjetër, pra rreth 35 funksione të tjera u përkasin gradave nga kryekomisar deri në drejtues. Në lidhje me këtë, specialistët e policisë shpjegojnë se këto ndryshime do të kryhen sipas nevojave, ku punonjës aktualë në Drejtorinë e Përgjithshme, mund të emërohen në detyra të tjera në qarqe. Ndërsa nga qarqet të përqendrohen specialistë të tjerë.

Megjithatë, shqetësimi i vënë në dukje nga specialistët e policisë ka të bëjë me fryrjen e funksioneve në Drejtorinë e Përgjithshme. Nga të dhënat mësohet se aparati qendror i policisë ka të miratuar një strukturë me rreth 300 vetë, por që aktualisht ka rreth 200 funksione më shumë. Kjo bie ndesh me strukturat e policisë, pasi kjo fryrje në Drejtorinë e Përgjithshme ka sjellë mangësi në strukturat e tjera në bazë. Sipas të dhënave, në shumë sektorë apo drejtori policie ka mungesë efektivi. Pavarësisht se drejtuesit e dinë mungesën e efektivit, që sjell edhe probleme në punën dhe misionin e policisë, ende nuk bëhen emërimet e duhura, në mënyrë që të gjitha funksionet të jenë të mbuluara.

Shqetësimi i ndryshimeve të njëpasnjëshme në polici mbetet i përhershëm, pavarësisht se me ndryshimin e ligjit të saj, u mendua se kësaj odiseje iu dha fund njëherë e mirë. Fillimisht, në vitet 2006-2007, policia miratoi struktura të reja të saj, duke ndryshuar komplet mënyrën e të punuarit. Por, gjatë këtyre tre vjetëve nuk u panë rezultate aq të larta, pasi mbeti pas dore krimi ordiner. Për këtë arsye, që me ardhjen e kreut të ri të policisë u paralajmëruan ndryshime të tjera. E tashmë janë ndryshuar disa prej tyre, por vazhdojnë të ndryshojnë edhe shumë struktura të tjera policore, që të japin përshtypjen se do të kthehen aty ku ishin deri në vitin 2005.

Madje, disa seksione ose sektorë të policisë kanë “dështuar” në punën e tyre dhe kanë detyruar që specialistët përkatës të ribëjnë ndryshime, duke i kthyer siç ishin edhe më parë. Një tjetër ndryshim pritet që të realizohet brenda muajit maj, ku disa seksione dhe vepra penale pritet të kalojnë nga hetimi i krimeve te strukturat e rendit dhe sigurisë. Sipas të dhënave, janë pikërisht krimet ordinere, si dhe mbrojtja e të miturve dhe dhunës në familje, që do të kalojnë në të gjithë vendin në varësi të strukturave të rendit. Këto ndryshime do të bëhen deri në strukturat e larta të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që do të shoqërohen edhe me emërime të reja shefash seksionesh të ndryshme. Kështu, duke filluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të preken disa sektorë. Sektori i Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje do të kalojë në varësi të Drejtorisë së Rendit dhe do të bashkohet me policimin në komunitet.

Ndërkaq, Hetimit të Krimit do t’i hiqen edhe disa vepra të lehta penale, që në numrin e përgjithshëm të tyre do të numërohen për llogari të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë Publike. Në Drejtoritë e Policisë në Qarqe, do të ketë ndryshime më të mëdha. Fillimisht, këto ndryshime filluan me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, ku seksioni i Dhunës në Familje i kaloi Rendit, pasi ishte në varësi të Sektorit të Krimeve të Rënda. Gjithashtu, edhe krimet ordinere do të kalojnë në varësi të rendit, duke ndërtuar seksione të reja në këto struktura.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›