Ish-punonjësit e NB-së, protesta për pronën më 1 Maj
Banorët e ish-NB-së së Orikumit, 1 Majin e kanë organizuar si ditë protestash për pronën. Dje, ata janë mbledhur para tokave që në orët e para të ditës dhe me parulla dhe banderola kanë marshuar përgjatë bulevardit të qytetit, duke bllokuar dhe një aks të kësaj rruge. “Tokat janë tonat, ne do t’i mbrojmë deri në vetëflijim!” dhe “Tokat nuk do t’i lëshojmë”, kanë qenë disa nga thirrjet që kanë hedhur protestuesit. Pasi kanë dalë në rrugën kryesore, ata kanë bllokuar aksin rrugor Vlorë-Himarë për rreth 20 minuta, duke bërë bllokimin e trafikut. “Sot është dita e 1 Majit dhe është i dyti vit radhazi që ne po protestojmë për tokën. Për dy dekada na kanë mashtruar si e majta dhe e djathta, që vinin tek ne vetëm për të marrë votat dhe më pas asgjë nuk është bërë për ne. Toka është e jona dhe ne me çdo kusht do ta mbrojmë, sikur edhe tanket të vijnë”, kanë deklaruar protestuesit. Më pas ata janë shpërndarë të qetë, duke paralajmëruar protesta të tjera, deri në zgjidhje të kërkesave të tyre.
#