Shqipëria shmangu 42 sulme kibernetike në 2024, Rama: Kemi mbrojtje nga më të avancuarat në Europë falë Inteligjencës Artificiale

Shqipëria ka shmangur 42 sulme serioze kibernetike gjatë vitit 2024, falë përparimeve teknologjike dhe përdorimit të Inteligjencës Artificiale në shërbimet publike. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama gjatë një aktiviteti kushtuar fuqizimit të teknologjisë në administratën publike.
Rama theksoi se vendi është përballur me sulme të rënda nga aktorë të fuqishëm si Irani, por është arritur t’i zmbrapsin pa pasoja të mëdha.
“Kemi bërë një rrugë të gjatë drejt një transformimi historik të bazuar te teknologjia. Shqipëria konsiderohet si një vend lider në rajon sa i përket dixhitalizimit të shërbimeve publike dhe në çdo klasifikim europian ne jemi mbi mesin e klasifikimit duke pasur parasysh se nga çfarë humnere e nisëm ngjitjen e bën edhe më spektakolare këtë transformim. Ky është një proces që kushton dhe Shqipëria tani ka nisur të krijojë kapacitete financiare të konsiderueshme në raport me ambicien e vet. Deri para pak kohësh ka qenë e domosdoshme mbështetja që kemi gjetur tek disa partnerë.
Ne jemi sulmuar nga Irani në përpjekje për të fshirë gjithçka që kemi mundur të bëjmë në këto 10 vite dhe kemi qenë në fije të perit. Irani nuk është një hacker i lehtë, por një nga fuqitë më të mëdha të terrorit dixhital, e zmbrapsëm sulmin pa dëme të mëdha dhe dua t’ju informoj që vitin e kaluar kemi pasur 42 sulme serioze dhe në 2023 kishim 63 sulme serioze. Agjencia që kemi ndërtuar për mbrojtjen kibernetike dhe kemi një nga fuqitë mbrojtëse kibernetike më të avancuara në Europë dhe pa kosto marramendëse, duke përdorur Inteligjencën Artificiale dhe talentet shqiptare. Edhe forcat malinje përforcohen dhe kjo është një luftë e përditshme. Ne flasim për sulme të forta, jo ngacmimet e përditshëm dhe pjesa dërrmuese kanë qenë nga i njëjti aktor. I bëj thirrje sektorit privat të mos nënvlerësojnë rrezikun që vjen nga terroristët dixhital”, tha Rama.
Sipas tij, transformimi dixhital në shërbimet publike ka kursyer 620 milionë euro për qytetarët dhe bizneset, ka eliminuar radhët dhe korrupsionin në sportele. Një nga risitë është edhe aplikacioni “Diella”, që do të mundësojë marrjen e 54 shërbimeve publike vetëm me një komandë zanore.
“Dixhitalizimi i plotë i arkivave është një domosdoshmëri që të gjitha shërbimet të mund të merren në kohë reale. Siç do të merren 54 shërbime me vule elektronike vetëm me një kërkesë zanore ndaj Diellës. Nga ana tjetër janë 3.3 mln përdorues dhe prej 2020 janë 49 milionë shërbime. Radhët dhe korrupsioni endemike është eliminuar në dhënien e shërbimeve dixhitale, nuk ekziston më korrupsioni në sportele. 620 milionë euro të kursyera për qytetarët dhe bizneset vetëm nga ky transformim. AKSHI tashmë ka marrë edhe flamurin e Inteligjencës Artificiale dhe fati e desh që një nga krijuesit e Chatgpt të ishte shqiptarja Mira Murati dhe sot falë bashkëpunimin me të negociatat me BE bëhen me inteligjencë artificiale”, tha Rama.
Gjithashtu, Inteligjenca Artificiale po zbatohet në prokurime publike, sistemin tatimor, dogana dhe monitorimin e territorit.
“Po punojmë me modelin e Inteligjencës Artificiale për prokurimet publike. Ne duam të zhvillojmë prokurimet me inteligjencë artificiale dhe pjesëmarrja e njeriut të zvogëlohet në rolin e mbikëqyrësit. Sektori i të ardhurave në tatim dhe Doganë. Fiskalizimi ka qenë një hap i rëndësishëm por i pamjaftueshëm dhe i paplotë. Përmes Inteligjencës Artificiale pro bëhen në kohë të jashtëzakonshme transaksioneve dhe identifikimin e problematikave. Kemi një inspektorat të taksave që është i padukshëm dhe nuk të vjen te dera apo të paraqitet me shëmbëlltyra të rrezikshme për ekuilibrin emocional të personit. Brenda këtij viti ky model do të jetë funksionale dhe modulet e tij do të zhvillohen në vazhdimësi. Të gjitha transaksionet e të gjitha kompanive me sinjale njësoj siç sinjalizohen inspektorët real do të bëhet edhe sinjalizimi i këtij “syri inteligjentë” ku do të na thotë se po bëhet një lojë me të ardhurat që i takojnë shtetit. Tjetër kemi kontrollin e territorit, një është monitorimi dhe tjetri është përshpejtimi i procesit të legalizimeve. Edhe gjobat për shkeljet rrugore do të vijën me foto, së shpejti do të largojmë policët rrugorë”, tha kryeministri.
/rtsh.al/