E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pasojat penale për shitblerjen e votës, avokati Brahim Lahi rekomandon ndryshime ligjore për votuesit e diasporës

Procesi i votimit nga shqiptarët e diasporës kërkon ndryshime ligjore në Kodin Penal në rast se do të konstatoheshin elemente të shitblerjes së votës.

Avokat Brahim Lahi shpjegon për Radio Televizionin Shqiptar se këto ndryshime janë të domosdoshme, pasi nëse në vendin ku votuesi voton kjo nuk parashikohet si vepër penale, personi nuk do të rrezikonte pasojë ligjore.

“Ndoshta ka nevojë të rregullohet legjislacioni shqiptar për veprat penale që kanë të bëjnë me zgjedhjet, meqenëse votimi i diasporës është futur si risi. Çdo person që e kryen një vepër të tillë jashtë shtetit do të përgjigjet, pavarësisht se atje nuk është vepër penale. Aktualisht nuk ka pse përgjigjet penalisht në qoftë se shteti i huaj nuk e ka veprën penale. Ligji ynë thotë që mund ta ndjekësh penalisht vetëm në qoftë se atje nuk është dhënë akoma një vendim penal,” shpjegon z. Lahi.

Avokati thekson se çdo tentativë për të shitur, blerë apo për të treguar votën përpara se ajo të dorëzohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është përgjegjësi e vetë qytetarëve.

“Në qoftë se në Gjermani, Itali apo ku ndodhen shqiptarët, kjo nuk është e parashikuar si vepër penale, ai mund të thotë që po kryen një veprim që nuk kalon për vepër penale. Nuk ka asnjë pasojë,” thotë avokati Lahi.

Ndërsa për votuesit që jetojnë në Shqipëri parashikohet që nëse ata duan ta shesin, blejnë apo tregojnë votën e tyre, ky veprim shoqërohet me sanksione penale të rënda, deri në 3, 4 apo 5 vite burgim.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›