E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama nga Burreli: Nga 2026 ndryshon bonusi i bebes. Më 11 maj, vota është për të ardhmen e vendit

Kryeministri Edi Rama tha se do të ketë një rikonceptim të programit të bonusit të bebes, i cili do të hyjë në fuqi nga viti 2026. Në vend të dhënies së ndihmës financiare në formën e një çeku të vetëm pas lindjes së fëmijës, qeveria planifikon të kalojë në një skemë me pagesa mujore për periudha dy, tre dhe pesëvjeçare, në varësi të numrit të fëmijëve.

“Do rikonceptojmë programin e bonusit të bebes duke filluar nga 2026, dhe në vend të ndihmës financiare me çek, ecim me skemë tjetër më të avancuar sipas numrit të fëmijëve. Me pagesa mujore dyvjeçare, trevjeçare dhe pesëvjeçare. Kush bën më shumë fëmijë, do ta ndihmojmë më shumë”, tha Rama gjatë vizitës së tij në Burrel.

Kryeministri iu referua gjithashtu datës 11 maj si një moment kyç për të ardhmen e Shqipërisë, duke e cilësuar atë si “takim me historinë”. Ai tha se kjo ditë do të përcaktojë rrugën që do ndjekë vendi për 30 vitet që vijnë.

“Më 11 maj kemi takim me historinë në kuptimin më të plotë të fjalës. Zakonisht zgjedhjet janë të rëndësishme, por ka raste që përcaktojnë jo thjesht kush qeveris për 4 vjet, po ku do të jetë vendi në 30 vitet e ardhshme. E them pa ekzagjerim që në 11 maj mund të luhen 30 vite se sot BE e ka hapur derën për Shqipërinë sepse nuk kishin vullnet të plotë për të përshpejtuar ata që ata e quajnë zgjerimi, për mua është ribashkimi. Nga 2011 në 2013, nuk ka shkelur njeri në Tiranë. Ne në datën 16 maj presim gjithë Evropën. Historia ka treguar se demokratët partinë e tyre e kanë për sherr, për punë kanë partinë tonë. Jo për punë për Shqipërinë por edhe për veten e vet. Keni parë se nëpër kantiere më dalin ndërtues demokratë, se këta thonë oligarkët. Dalin atje, votën kundër gjithmonë por punën me ne. Ndoshta votën kanë filluar të na e japin ne se tani janë forcuar, nuk janë më me dy gishta”, u shpreh Rama.

Duke folur për zhvillimin infrastrukturor dhe potencialin e zonës, Rama vlerësoi edhe rëndësinë e “Rrugës së Arbrit”, duke theksuar se ky aks po e lidh Burrelin më ngushtë me Tiranën dhe do ta kthejë rajonin në një zonë me potencial të lartë ekonomik dhe turistik në vitet në vijim.

 “Rruga e Arbrit shkurton distancën me Tiranën me transformimet në qytet dhe natyrën e jashtëzakonshme që ka përreth nuk është e ekzagjeruar që të imagjinosh që në 5-6 vjet, kjo zonë do të jetë një nga zonat më të kërkuara të kryeqytetit. Duket si fantazi por nuk është fare”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›