E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria” sipas at Pazit

09/01/2009  Botohet e plotë vepra e albanologut italian Fulvio Kordinjano. Kordinjano një nga më të diskutuarit, pjesë e polemikave me Mjedën dhe Fishtën e disa shkrimtarë të tjerë të kohës

Kohët e fundit bibliotekës së albanologjisë të ardhur në shqip i është shtuar dhe libri “Shqipëria...” i personalitetit dhe studiuesit italian Fulvio Kordinjano. Ndoshta më shumë se kushdo ky autor ka pasur kontakte me vendin tonë, me ngjarje dhe situata që fatet tona historike na kanë servirur. Kordinjano, ky emër i shumëdiskutuar, ka një varg librash, veprash të mëdha apo shënimesh e studimesh që lidhen me Shqipërinë, çka e bën këtë albanolog jo vetëm ndër më të interesuarit ndaj temës shqiptare, por edhe një nga më të vëmendshmit, skrupulozët, njohësit e thellë të këtij areali apo teatri ku ka luajtur jeta e populli ynë. I sjellë nga shtëpia botuese “Almera”, e cila vetëm para një muaji hodhi në treg librin “Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare”, vepër e Gaetano Petrotës (e cilësuar nga kritika e shtypi si vepra më e plotë dhe më shumëdimensionale, skrupuloze dhe e thellë, që është shkruar rreth filologjisë, historisë së gjuhës e letërsisë, e personaliteteve të fushave si dhe ngjarjeve që lidhen direkt me to), libri “Shqipëria...” i Fulvio Kordinjanos është i ndarë në tri vëllime. I pari ka pak kohë që ka bërë xhiron e suksesshme të librarive dhe tani është në treg vëllimi i dytë. Në këtë vëllim lexuesi do të gjejë një gjeografi të gjerë ngjarjesh, që Domeniko Pazi i pati mbledhur që nga viti 1847 e deri më 1914-n (dhe që Kordinjano na i sjell të kuruara, të stilizuara e plotë ngjyra, të vendosura në kontekstin historik kur ato ngjarje kanë ndodhur). Kordinjano na krijon mundësinë ta shohim veprën e at Pazit edhe në një dritë tjetër. Kësaj here nga brenda, të shkruar nga vetë dora e protagonistit të librit, në letrat, relacionet, ditarët e dokumentet e tjera të trashëguara prej tij. Kemi të bëjmë, si të thuash, me një libër brenda librit, të ndërthurur në mënyrë të harmonishme. “Tani le ta lëmë të flasë misionari ynë...”; “Këtë më bukur e thotë vetë at Pazi...”, - shkruan jo pak herë Kordinjano. Shkrimet e at Pazit dëshmojnë një talent prej shkrimtari e një shije të hollë gjuhësore e letrare, të frymëzuar veç të tjerash nga dashuria për malësorin shqiptar dhe natyrën shqiptare. Përshkrimet e këtij prifti misionar me shpirt poeti të bukurisë së pashoqe të Alpeve tona, portretizimi i malësorëve, i botës së pasur shpirtërore, përshkrimi i jetës së përditshme, i riteve dhe i mikpritjes proverbiale të tyre janë ndër faqet më emocionuese e më mbresëlënëse të librit. Ato mbartin njëherësh vlera të papërsëritshme njohëse, edukuese dhe estetike. Nga ana tjetër, ato janë një dëshmi e drejtpërdrejtë dhe e mirëfilltë, gati-gati fotografike e Shqipërisë në kapërcyell të shekullit XIX. Librit i japin më shumë frymëmarrje e vërtetësi edhe dëshmitë e sjella nga arkivat e kohës, qëndrime të personaliteteve të larta të Vatikanit: papë, kardinalë dhe drejtues të Propagandës Fide. Nëse u shtojmë këtyre edhe hulumtimet e shumta e përfundimet bindëse të Kordinjanos, i cili ishte edhe vetë njohës shumë i mirë i Shqipërisë, i gjuhës shqipe, i kulturës dhe jetës së popullit shqiptar, atëherë pohimi ynë se kemi të bëjmë me një enciklopedi të rrallë të jetës shqiptare të kohës është më se i përligjur. Një enciklopedi autentike, e cila nuk duhet t’u mungojë jo vetëm tryezave të punës së studiuesve, mësuesve, studentëve, nxënësve, por edhe bibliotekave të lexuesve të moshave e profesioneve të ndryshme.

Të dy vëllimet e veprës së Kordinjanos “Shqipëria...” janë punë serioze e një përkthimi në një nivel shumë të lartë nga Iliriana Angoni. Besnikëria ndaj veprës, korrektësia ndaj materialeve të autorit, plastika dhe eleganca e gjuhës së përdorur nga përkthyesja e sjellin në kohë kënaqësinë e leximit të kësaj vepre të shkruar rreth para 70 vjetësh. Volumi gjuhësor i Angonit, nuancat kuptimore që ka thirrur në përkthim si dhe stili i të përkthyerit e bëjnë këtë botim një nga më seriozët të ardhur në shqip.

Shtëpia botuese “Almera” ka në politikat e saj të botimit një varg veprash serioze të albanologjisë. Përzgjedhja, puna skrupuloze, konsultimet e vazhdueshme, cilësia e autorëve dhe veprave të përzgjedhura i japin asaj jo vetëm tagrin e cilësisë së lartë me të cilën botohen këto vepra, por një pjesë e rëndësishme e profilit të kësaj shtëpie botuese do të jetë e lidhur me autorë dhe vepra që lidhen me Shqipërinë dhe personazhet e personalitetet apo ngjarjet kulmore të saj.

Bashkëpunimi i kësaj shtëpie botuese me shkrimtarin dhe publicistin Mark Simoni, ashtu si dhe te vepra voluminoze e Gaetano Petrotës apo në “Shqipëria...” të Fulvio Kordinjanos, si dhe në botimet e tjera në vazhdim, u japin botimeve seriozitet filologjik dhe përkujdesje profesionale.

Ndërkohë një vepër tjetër e shkruar nga Giuseppe Crispi, “Memorie historike - Skënderbeu” (e shkruar në vitin 1853), do të vijë së shpejti te lexuesi nga botuesja Miranda Gjyzeli, nën përkujdesjen e kurimin e Mark Simonit dhe e përkthyer prej Iliriana Angoni.

Mbi botimin e parë...

Vëllimi i parë i kësaj vepre është një nga veprat më të rëndësishme të albanologut të njohur italian Kordinjano, i cili pjesën më të madhe të punës së vet shkencore ia ka kushtuar Shqipërisë, gjuhës shqipe, kulturës, traditave etnografike e fetare të popullit shqiptar. Vepra “Shqipëria përmes veprës dhe shkrimeve të misionarit të madh italian at Domeniko Pazi” e dëshmon që në titull qëllimin dhe thelbin e përmbajtjes së saj. Jetëshkrimi, puna dhe paraqitja e veprimtarisë apostolike të priftit jezuit at Domeniko Pazi, përmes kërkimeve të autorit, dokumenteve, dëshmive të bashkëkohësve dhe shkrimeve të vetë misionarit. Duke ndjekur hap pas hapi jetën dhe veprimtarinë misionare të at Pazit në Shqipëri, ky libër i kapërcen kufijtë e qëllimit për të cilin është shkruar. Ai kthehet vetiu në një pasqyrë të shoqërisë shqiptare të kohës, në një enciklopedi të vërtetë e të rrallë të jetës së katundeve e të qyteteve të Veriut të Shqipërisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›