E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi i shqetësuar për gjobat

09/01/2009  Sipas ligjit të ri, biznesi duhet të paguajë me para në dorë, jo me garanci bankare

Në mars hyjnë në fuqi pasqyrat e reja financiare, tatimorët të papërgatitur

Mungesa e përgatitjes së vetë tatimorëve për procedurat e reja tatimore mund të shoqërohet me gjoba të padrejta për bizneset. Aq më tepër me përdorimin e pasqyrave të reja financiare dhe bilanceve kontabël nga muaji mars. Këto dhe shqetësime të tjera janë ngritur gjatë një takimi të organizuar me bizneset anëtare të Dhomës Amerikane e Tregtisë dhe përfaqësues të administratës tatimore.

Shqetësimi

Megjithë lehtësitë e krijuara vitet e fundit për bizneset, pengesa të shumta ligjore hasen në interpretim, për të cilat bizneset nuk gjejnë përgjigje te inspektorët tatimorë. Drejtues të Dhomës Amerikane në fjalët e tyre u munduan të vendosin theksin se ata i shqetëson më shumë mënyra e zbatimit të ligjit. “Ne kemi folur shumë për ligjin dhe shumë nga problemet e biznesit nuk vijnë nga ligji, por nga mënyra se si ai zbatohet nga inspektorët ose më keq akoma nga mosnjohja e mirë e ligjit prej vetë tatimorëve”, - ka thënë në fjalën e saj Floreta Luli – Faber. Problemet sipas përfaqësuesve të biznesit, lidhen me mosnjohjen e procedurave të reja, vonesa të shkaktuara nga mungesa e informacionit edhe nga vetë inspektorët. Kjo situatë mund të sjellë gjoba që do të rëndojë kostot e biznesit. Ndërkaq, që ligjin e ri nuk u lejon atyre përdorimin e garancisë bankare për të paguar, por duhet të derdhin para në dorë. Në lidhje me këtë drejtori i Tatimeve, Arben Sefgjini, tha se ligji i ri shmang takimin me inspektorin për të deklaruar të ardhurat, por do t’i deklarojnë në mënyrë elektronike. Ata që do të kontrollohen mbi bazën e metodave të riskut duhet t’i tregojnë inspektorit librat kontabël që në fakt me ligjin e ri nuk do t’ju duhet t’i çojnë më në zyrën e tatimeve.

Problemet

Eksportuesit janë të shqetësuar për rimbursimin e TVSH – së. Në lidhje me këtë përfaqësues të tatimeve sqaruan se rimbursimi do të kryhet brenda 30 ditëve kalendarike pasi të jetë bërë kontrolli financiar. Shumë biznese të pranishme thanë se kishin 10 muaj që nuk e kishin marrë rimbursimin edhe pasi u ishte bërë kontrolli financiar. Gjatë 2008 tatimorët kanë rimbursuar rreth 2.4 miliardë lekë TVSH, por ndërkaq rezulton se gjatë këtij viti niveli i eksporteve është rritur me 47 për qind. Nga ana tjetër, biznesmenët prezentë kanë theksuar se ka pasur shumë vonesat në kthimin e tatim-fitimit mbi normën. Sipas zonjës Donika Mici, ende nuk ka pasur një kthim të tatim fitimit të paguar më shumë edhe pse i është bërë kontrolli financiar. Çështja tjetër e ngritur ka qenë ajo për mundësinë e apelimit të një gjobe. Biznesmenët kanë kërkuar që t’u caktohet një datë dhe një orë e caktuar për t’u mbrojtur përpara se çështja të shkojë në një tjetër instancë. Vetë drejtori Arben Sefgjini deklaroi se në lidhje me këtë problem do të merren masat që për çdo ankimim të caktohet një orar takimi dhe shqyrtimi, duke eliminuar faktin e dhënies së vendimit brenda asaj dite. Sefgjini theksoi se me ligjin e ri ka ndryshuar edhe struktura e administratës tatimore, duke sjellë edhe krijimin e sektorëve të rinj, siç është si i investigimit tatimor. Në të njëjtën kohë, Sefgjini u shpreh se tatimpaguesit e TVSH-së nuk kanë më nevojë të paraqiten në degët e tatimeve për të paraqitur brenda datës 14 të çdo muaji librat e shitjeve dhe blerjeve, siç ishte procedura e deritanishme.

Ankesat e biznesit

Rritja 20 për qind

Tatimorët mbledhin 754 milionë euro

Të ardhurat nga tatimet gjatë 11-mujorit të vitit 2008 janë rritur me 20 për qind. Kjo shifër është krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të dhënat i ka bërë publike vetë Drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, dje gjatë një takimi të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë. Sipas shifrave zyrtare të këtij institucioni, të ardhurat në periudhën janar-nëntor 2008 llogariten 754 milionë euro. “Rritja me 20 për qind në raport me vitin 2007 erdhi si rezultat i mirëmenaxhimit, aplikimit të ligjit “Për procedurat tatimore” si dhe modernizimit të administratës tatimore”, deklaroi Sefgjini. Rritjen e pagesave në arkën e administratës tatimore Sefgjini ia ka faturuar si meritë edhe lehtësimit të barrës burokratike ndaj biznesit, por edhe vendosjes së marrëdhënieve të partneritetit. Ndërkaq, kjo administratë ka parashikuar që gjatë vitit 2009 vetëm të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të arrijnë në 56 191 milionë lekë.

Problem tatimi i dyfishtë

Interpretimi i ligjeve, Sefgjini premton ndërhyrje

Interpretimi i rasteve të tatimit të dyfishtë të biznesit ka qenë një problem i ngritur nga disa studio ligjore dhe kontabiliteti. Më konkretisht përfaqësues të disa studiove ligjore kanë deklaruar se shumë biznese përplasen me një problem të tillë. Edhe kur ka pasur interpretime nga Drejtoria Qendrore si në një rast mbi tatimin e dyfishtë, inspektorët e drejtorive rajonale, sipas tyre nuk kanë pranuar ta zbatojnë. “Në mënyrë absolute nuk mund të pranojë një rast të tillë, pasi ne siç e japim një interpretim për ju ashtu dhe e çojmë në degën rajonale ku është biznesi”, – tha z. Sefgjini lidhur me këtë çështje. Të dy palët ranë dakord që studiot do të kërkojnë interpretim më të qartë dhe punonjësit e tatimeve do të mundohen të japin përgjigje të qartë. Madje, drejtori i përgjithshëm Sefgjini ka theksuar se do të shikohen me përparësi rastet dhe rrethanat konkrete ku vërtet se ka nevojë për interpretim, në mënyrë që të mos shkaktojnë vonesa apo paqartësi. Përfaqësues të biznesit kanë theksuar se mos interpretimi i ligjit nga ana e tatimorëve bën që gjatë ushtrimit të biznesit disa rrethana në ligj nuk janë parashikuar. Ndërkohë që është detyrë e tatimorëve të bëjnë interpretimin e tij në mënyrë që biznesi të dijë si të operojë.

Kontabiliteti

Futja e parimeve të reja të kontabilitetit dhe pasqyrat financiare, sipas përfaqësuesve të biznesit është një problem që duhet parë me kujdes. Pasi administrata tatimore nuk është e trajnuar si duhet, që do të thotë se mund të krijohen pakënaqësi për bizneset.

Apelimi

Një prej kërkesave të biznesit ka qenë apelimi i një gjobe. Përfaqësuesit e bizneseve kërkuan që të ketë një datë dhe një orë të caktuar për të apeluar në lidhje me një gjobë para se çështja të shkojë në një tjetër instancë, duke u dhënë mundësi mbrojtjeje.

Interpretimi

Interpretimi i procedurave tatimore, sidomos në lidhje me taksimin e dyfishtë ka detyruar biznesin që të kërkojë më shumë mirëkuptim nga tatimorët. Punonjësit e tatimeve duhet të japin përgjigje të qartë dhe jo përgjigje standarde si “referoju ligjit”.

Rimbursimi

Problemet e rimbursimit të TVSH-së për eksportuesit, por edhe rimbursimi i tatimit mbi normën për fitimin kanë qenë disa nga çështjet e tjera të ngritura nga biznesi. Sipas përfaqësuesve të biznesit, administrata tatimore nuk është korrekte në këtë drejtim.

Ngërçi

Deklarimi i listës- pagesave pa zgjidhje

Deklarimi i listë-pagesave për punonjësit e rinj apo atyre që janë larguar është një problem për bizneset. Zyrtarë të këtij institucioni janë në dijeni të këtij problemi dhe premtojnë se do të marrë fund brenda tre muajve të parë të vitit. Duke sqaruar përfaqësuesit e biznesit në takim, Erion Prifti ka theksuar se po punohet me intensitet për t’i dhënë zgjidhje. “Ne po shikojmë mundësinë e deklarimit në mënyrë elektronike të numrit të punonjësve dhe të pagesave në mënyrë që t’i shkurtojmë kohë dhe burokraci biznesit”, - theksoi Prifti. Në rast se deklarimi i sigurimeve shoqërore nuk bëhet brenda 48 orëve, atëherë ai shoqërohet me gjoba. Përfaqësues të kompanive të biznesit e kanë ngritur shpesh herë këtë shqetësim, i cili është më i ndjeshëm për bizneset prodhuese që menaxhojnë forca të mëdha punëtore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›