E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet, shtohet frika e rrëshqitjes së dherave

09/01/2009  Specialisti Dashamir Zyberi: Toka e butë, në rrezik zona në Kodrën e Shtufit

GJIROKASTËR - Reshjet e shumta të shiut ditët e fundit në jugun e Shqipërisë kanë shtuar frikën nga rrëshqitjet e dheut në zonat me formacione të buta dhe shtufore, që përbëjnë gati 30 për qind të territoreve ku janë ndërtuar objekte banimi në qytetin e Gjirokastrës.

Paralajmërimi

Dashamir Zyberi, specialist në zyrën e urbanistikës pranë Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës, tha dje për gazetën "Metropol" se në dy zona në qytetin e gurtë, në Kodrën e Shtufit dhe në zonën midis lagjes “11 Janari” dhe "Punëtori”, ka rrezik të ndodhë një rrëshqitje masive dheu, për shkak të përbërjes gjeologjike të zonës. E njëjta gjë vihet re në disa lagje të qytetit të Libohovës, ku vazhdimisht ka patur probleme të tilla, si dhe në fshatin Llongo të komunës së Dropullit të Sipërm, rreth 25 kilometra larg Gjirokastrës, ku dy vjet më parë u shembën disa shtëpi për shkak të rrëshqitjeve masive të tokës. “Ndërtimet që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen në Kodrën e Shtufit kanë probleme”, thotë Zyberi. "Në qoftë se Bashkia e Gjirokastrës nuk merr parasysh mendimin e specializuar të gjeologëve, të tjera ngjarje të hidhura mund të ndodhin, madje më të rënda se ajo e 9 nëntorit të kaluar", vëren ai. Zyberi thekson se pas shembjes së pallatit 5-katësh në qytetin e Gjirokastrës, drejtuesit e njësive vendore kanë pezulluar çdo kërkesë për ngritje objekti, deri sa specialistët gjeologë të kryejnë një studim të plotë në terren. “Bashkia e Gjirokastrës ka ngritur prej më tepër se një muaji e gjysmë një grup specialistësh, të cilët po bëjnë një kontroll të hollësishëm në të gjitha ndërtimet e kryera 18 vitet e fundit në qytetin shumëshekullor”, thotë specialisti i zyrës së urbanistikës pranë Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës. Vitet e fundit, në ndërtimet e reja në qytetin e gurtë vërehet një kaos i vërtetë, mungesë studimi dhe madje ndërtime në kundërshtim me mendimin e specialistëve. Më 9 nëntor të vitit të kaluar, për shkak të rrëshqitjes së dheut që u shkaktua nga gërmimet për themelet e një pallati të ri, u shemb një pallat 5-katësh ku humbën jetën tre banorë të tij. Specialistët gjeologë mendojnë se është e nevojshme dhe e domosdoshme që një gjeolog të jetë anëtar i Këshillit të Rregullimit të Territorit në njësitë vendore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›