E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiperia status te kushtezuar

"Komisioni Evropian rekomandon që Këshilli duhet t’i ofrojë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, në varësi të plotësimit të masave kyçe në fushat e reformave të gjyqësorit dhe administratës publike dhe rishikimit të rregullores së parlamentit. Komisioni do t’i raportojë Këshillit sapo të arrihet progresi i duhur. Në raportin e tij, Komisioni do të marrë gjithashtu parasysh angazhimin e shfaqur nga Shqipëria për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, përfshirë hetimet proaktive dhe ndëshkimet e këtyre rasteve".

Kështu u shpreh të mërkurën Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Stefan Fyle gjatë prezantimit të progres raportit të KE-së për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të rajonit.

Pas raport-progresit, Komisioni do t’i raportojë vendeve anëtare për plotësimin apo jo të këtyre masave, sipas këtyre zyrtarëve, me shpresën se vendet anëtare do të reagojnë pozitivisht në muajin dhjetor ndaj këtij propozimi.

Përveç formulimit për statusin kandidat, pjesa e mbetur e 12 prioriteteve, përfshirë prioritetin pesë, mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në rekomandimin e Komisionit pritet të përfshihen si kushte për çeljen e negociatave për anëtarësim.

Fyle : Rëndësia e progres-raportit

Para publikimit zyrtar të strategjisë vjetore të zgjerimit dhe raport-progreseve individuale, Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Stefan Fyle ka dhënë një ditë më parë një mesazh të përgjithshëm për rëndësinë që përmban vlerësimi i vjeshtës i këtij viti.

«Raport-progresi i këtij viti është i rëndësishëm për tre gjëra. Së pari sepse bëhet fjalë për aspiratat legjitime të të gjithë europianëve për të qenë pjesë e kësaj përpjekjeje europiane. Bëhet fjalë gjithashtu për zgjerimin e zonave të stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit. Së dyti, ky raport-progres do të konfirmojë edhe vrullin e zgjerimit, me Kroacinë e cila anëtarësohet shpejt, Serbinë që ka marrë statusin kandidat, dhe Malin i Zi që ka nisur negociatat. Raporti do të jetë gjithashtu për kredibilitetin dhe fuqinë transformuese të BEsë. Dhe pika e tretë dhe shumë e fortë në raport-progresin e këtij viti është fuqia e Bashkimit Europian, për të thelluar integrimin e brendshëm paralelisht me zgjerimin e jashtëm, gjë për të cilën nuk ekzistojnë kontradikta".

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›