“Shqipëria tërheqëse për investitorët europianë”, eksperti: Tarifat e ulëta drejt dhe nga SHBA, mund t’i drejtojnë nga vendi ynë

Nëse investitorët europianë do të donin të zbusnin masën e tarifave amerikane, drejtimi i tyre në Shqipëri mund të ishte një qasje e konsiderueshme.
Rrethet e ekspertëve që analizojnë situatat sipas hartave, mendojnë se qasja mund të shfrytëzohet për thithje investimesh në Shqipëri, deri sa vendi gëzon këtë tarifë dypalëshe.
“Shqipëria është e favorizuar në aspektin edhe në rajon, pasi Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi kanë tarifa 10 për qind deri më tani dhe Serbia dhe Maqedonia e kanë gati 3 herë më të larta. Duke qenë se këto potenciale e lehtësojnë pozicionin tregtar të Shqipërisë në raport me fqinjët, qoftë me BE. Së pari duhet të sistemojmë marrëdhëniet tregtare me Amerikën”, tha eksperti Eduard Gjokutaj.
Hapësirat konkrete eksperti Gjokutaj i sheh së pari në stabilizimin e mëtejshëm të kontekstit ekonomik Shqipëri–ShBA.
“Diplomaci tregtare, mund të fillojë të ndërtohet një kontur i ri për një marrëveshje specifike apo të kufizuar, thjesht në ato që kanë interes investitorët amerikanë, si energji, agropërpunim dhe turizëm. Shqipëria, duke qenë se iu ofron akses, shërben si një bazë, si një hap hibrid ndërmjet SHBA dhe BE”, tha ekpserti.
Qasja tjetër do të ishte ajo e shfrytëzimit të interesave gjeopolitike përkundër rritjes ekonomike në rajon.
“Duke shfrytëzuar dhe kapitalizuar pozicionin e saj gjeografik, e cila rrit sigurinë e investimeve dhe jepet një bazë e sigurt, kjo ndikon jo vetëm në rritjen e ekonomisë shqiptare, por edhe në rritjen e të gjithë ekonomisë ballkanike dhe Shqipëria kthehet në një hap të rëndësishëm industrial dhe ekonomik, i cili i përdor të gjitha këto elemente me një diplomaci në mënyrë të guximshme”, tha ai.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/